Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar dokumentat e ofertës dhe pranimit për blerjen e 40 avionëve të rinj luftarakë F-16 dhe kiteve të modernizimit për 79 avionët ekzistues të flotës turke.
Shkresat janë pranuar dhe janë duke u shqyrtuar nga shërbimet kompetente të ministrisë, para se të firmosen dhe të ekzekutohet transporti i avionëve luftarakë, për t’u vënë në dispozicion të flotës ushtarake turke.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Zeki Akturk, tha se të dyja palët do të takohen pas përfundimit të kontrolleve të draft-kontratës së mbërritur dhe në këto takime të përbashkëta do të bëhet vlerësimi dhe më pas do të finalizohet marrëveshja.
“Çmimi do të bazohet në katalog dhe produkte. Kur të arrihet marrëveshja përfundimtare, kostoja totale e kësaj marrëveshjeje do të dihet. Propozimi ynë për të bërë prodhimin dhe modernizimin në Turqi u është transferuar autoriteteve amerikane”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes së Turqisë.
Shitja e avionëve F-16 nga SHBA te Turqia, ishte pjesë e marrëveshjes që Uashingtoni i ofroi presidentit Erdogan, në këmbim të miratimit të ofertës së Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.
Në të njëjtën kohë, Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se pres një qasje pozitive nga Gjermania për çështjen e furnizimit me avionët luftarakë Eurofighter, pas vizitës së fundit të ministrit të Mbrojtjes Yasser Guler në Mbretërinë e Bashkuar.
Top Channel