Samiti BE-Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes për rajonin, nisi punimet këtë paradite në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Në fjalën e tij, në nisje të samitit, kryeministri Edi Rama u shpreh se Bashkimi Evropian është më i gatshëm se më parë për zgjerimin dhe vendet e rajonit duhet të ecin përpara me planin e ri të rritjes.
“Në planin e ri të rritjes, është e qartë ose duhet të marrim hapat e nevojshme për të ecur para, ose të dështojmë për të zënë një vend për t’u ulur në tryezën e BE. Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose e kundërta na pengon. BE është tani më e gatshme të na ndihmojë të në bëjë pjesë të kostelacionit të saj. Nuk duhet të humbasim këtë dritare mundësie”.
Kryeministri u ndal te tregu i përbashkët, duke shprehur ambicien për të aplikuar në muajin qershor.
“Nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën e përbashkët të pagesave, do të ulim tarifat për ata që jetojnë jashtë, për të qenë më pranë. Duke bërë këtë, mund të kursejmë, afro gjysmë bilionë euro.
Ambicia jonë është të jemi të gatshëm në qershor për të aplikuar. Nëse ulim me tri orë pritjen e kamionëve në kufi, mund të kemi një rritje të përgjithshme prej 25 miliard eurosh. Mbështetur në përvojën nga Ballkani i Hapur, ky ushtrim nuk është i lehtë. Nëse ia dalim që 500 bashkitë tona t’i përfshijmë në programin e internetit në hapësirat publike, që është një binjake e re e BE-së, mund ta çojmë rajonin në një nivel krejt tjetër”.
Kreu i qeverisë apeloi vendet e Ballkanit Perëndimor, që në këtë proces “të lënë jashtë politikën ballkanike”.
Të pranishëm në këtë samit janë kryeministri shqiptar, Edi Rama, presidenti serb, Aleksander Vuçiç, kryeministri malazez, Milojko Spajiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri. Bosnja dhe Hercegovina përfaqësohet nga Presidentja e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo, ndërkohë që i pranishëm është edhe Oliver Varhelyi, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin.
Top Channel