Greqia proteston, kërkon drejtësi në përvjetorin e tragjedisë hekurudhore të Athinës (fotot)

28/02/2024 18:35

Mijëra punonjës e studentë grekë marshuan sot në greva e protesta, në përvjetorin e aksidentit më të rëndë hekurudhor të vendit duke kërkuar drejtësi sociale dhe përmirësim të kushteve të jetesës.

Greva të shumta në transportin publik përfshinë trenat e tragetet në disa qytete, si dhe ndaluan lëvizjen në shumicën e kryeqytetit.

Greva 24-orëshe ka ndaluar anijet në portet pranë Athinës , të cilës iu bashkuan gjithashtu dhe punonjës spitalesh, mësues dhe ekuipazhe trageti.

Disa në marshimin në Athinë mbanin pankarta me mbishkrimet: “Ne nuk harrojmë – ne kërkojmë drejtësi.”

Më 28 shkurt 2023, një tren pasagjerësh nga Athina drejt Selanikut, u përplas në mënyrë të pashpjeguar kokë më kokë me një tren mallrash, duke lënë të vrarë 57 njerëz dhe dhjetra të tjerë të plagosur.

Ngjarja shkaktoi protesta të gjera dhe akuza korrupsioni e neglizhence në sektorin hekurudhor.

Këmbanat e kishave ranë sot 57 herë në të gjithë vendin në nder të të vrarëve, shumica e të cilëve ishin studentë që ktheheshin në shtëpi nga fundjava.

Greva u thirr nga sindikata e madhe greke ADEDY, me rreth 500 000 punonjës.

Të tjerë protestues, përfshi dhe studentë mbanin emrat e viktimave në veshjet e tyre, dhe më pas i shkruanin ato në rrugët rreth parlamentit të fortifikuar të vendit.

Në një protestë të ngjashme në Selanik kishte përleshje mes të rinjve dhe forcave të policisë, teksa këto të fundit bënë disa arrestime.

Qeveria thotë se gjyqi për tragjedinë e vjetshme do të nisë në qershor, por të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave thonë se politikanët mbrohen nga ndjekja penale me ligje të veçanta teksa duhet të japin llogari për neglizhencën.

Demonstruesit protestuan gjithashtu për kushtet jetesës dhe çmimet e larta, duke thënë se një rritje e vogël e rrogave së fundmi nga qeveria nuk mjaftonte për të zbutur impaktin e rritjes së kostove.

FOTO GALERI
1/7
Qeveria thotë se gjyqi për tragjedinë e vjetshme do të nisë në qershor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA