“Ushtria amerikane po përdor fondet e saj për të stërvitur forcat ukrainase”, Pentagoni ngre alarmin: Jemi në vështirësi

27/02/2024 16:09

Ushtria amerikane është detyruar të përdor fonde nga buxheti i saj për të mbuluar shpenzimet e stërvitjes së forcave ukrainase. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, kjo strategji mund të ndikojë tek burimet financiare të ushtrisë amerikane në Evropë, ndërsa agresioni rus kundër Ukrainës hyn në vitin e tretë.

Ndërkohë që Kongresi ende nuk ka miratuar një buxhet për mbrojtjen dhe Dhoma e Përfaqësuesve nuk ka shqyrtuar votimin për një paketë ndihme shtesë për Ukrainën, ushtria amerikane po shfrytëzon fondet e saj për stërvitjen e forcave ukrainase.

“Është një mision i rëndësishëm. Ne nuk mund t’ua kthejmë shpinën. Ushtria amerikane duhet të marrë vendime të vështira që do të ndikojnë tek të gjitha forcat ushtarake”, thotë për Zërin e Amerikës Sabrina Singh, zëdhënëse e Pentagonit.


Zyrtarët e ushtrisë i thanë Zërit të Amerikës se nëse nuk miratohet buxheti, ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë do t’i mbarojnë fondet për gjithçka, përfshirë mbështetjen për Ukrainën, si dhe operacionet dhe stërvitjet amerikane me aleatët e NATO-s – në fillim të verës.

Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, thotë se mungesa e fondeve po ngre kambanat e alarmit.

“Jemi në një situatë të vështirë dhe nuk jemi në gjendje të zhvillojmë modernizimin apo ndryshojmë programet. Është njëlloj si të luftosh me një krah të lidhur pas shpine”.

Analistët theksojnë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës po ndikon gjerësisht mbi kontinentin evropian.

“Kufizimi i stërvitjes dhe gatishmërisë së forcave amerikane në Evropë është një dhuratë tjetër për Vladimir Putinin”, thotë analisti Brad Bowman me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

Veterani i ushtrisë amerikane, Brad Bowman, thotë se kjo do të inkurajojë vazhdimin e agresionit rus dhe do të ketë çmim më të lartë se buxheti aktual apo paketat e ndihmës shtesë për Ukrainën.

“Duhet t’u sigurojmë ukrainasve armë sot, që të mos humbim jetë amerikane nesër. Është kaq e thjeshtë”.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës i tha rrjetit CNN se Ukraina nuk do ta kishte humbur qytetin Avdiivka kohët e fundit, nëse Ukraina “do të ishte furnizuar me municionin e duhur të artilerisë” që nevojitej për ta mbrojtur qytetin. Zëdhënësja e Pentagonit pajtohet me vlerësimin e Kievit.

“Tërheqja nga Avdiivka ishte strategjike, ishte një tërheqje për shkak të mosveprimit të Kongresit. Është e lidhur drejtpërdrejt”, thotë zëdhënësja Sing, duke nënkuptuar paketën e ndihmës për Ukrainën që nuk është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Ky është muaji i pestë radhazi që Pentagoni vepron pa një buxhet të plotë. Që nga fundi i dhjetorit nuk është dërguar ndihmë e re ushtarake për Ukrainën./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA