Gazetarja Erjona Rusi dhe deputeti socialist Xhemal Qefalia kanë rrëfyer për përjetimin e tyre në dy periudha të ndryshme kohore, momente të tensioni dhe lufte në Ukrainë.
Fillimisht ka qenë deputeti, i cili ka përshkruar udhëtimin e tij 14 orësh me tren nga Polonia në Ukrainë së bashku me Pandeli Majkon dhe grupet parlamentare të parlamenteve të Evropës. Sipas Qefalias, në Kiev pamjet ishin rrëqethëse, por atmosferën e vërtetë të luftës e ndjenë në Kharkiv.
“Më kujtoheshin rrëqethëse pamjet e një kopshti fëmije ku gjendeshin lodrat e tyre të hedhura për tokë dhe një ushtar që u kishte drejtuar armën. Pra nuk është se nuk ndjehej ankthi, por atë ta krijonin më tepër situatat që vinin. Sikur të mos mjaftonte kjo, konsulli i Ukrainës na tha që për ta parë tamam luftën nga afër, ju duhet të vini në Kharkiv, një zonë 3 çerek ore në afërsi të kufirit me Rusinë. Këtu nga dëshira e madhe për të parë për kureshtje zonën e luftës nga afër thash me vete po mua ç’mu desh kjo gjë. Lëvizëm me makinë 6-7 orë të tjera dhe aty dukej tamam ankthi dhe situata e luftës. Në Kharkiv jemi njohur ekzaktësisht me erën e luftës. Aty kemi parë që nuk funksiononte asgjë, pushteti vendor ishte i instaluar nëpër bodrume. Nuk kishte më shkolla, një kafe ishte diçka e futur në bodrum”, tha Qefalia.
Nga ana tjetër, gazetarja Erjona Rusi ka rrëfyer udhëtimin një dekadë më parë në Ukrainë, gjatë protestave të revolucionit Portokalli.
“Pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nisi dy vite më parë, por lufta nisi që në fundin e 2013-ës dhe fillimin e 2014-ës. Unë kam qenë në Ukrainë në maj të 2014-ës. Kam udhëtuar gjithashtu me tren nga Lvivi për në Kiev, tek pull e vetme, femër. Nuk ishte situatë si kjo e sotmja por kisha aq shumë kuriozitet për ta parë Kievin”- tha Rusi, duke shtuar se kur ka mbërritur në Kiev i janë mbushur sytë me lot.
Pjesë nga biseda:
Qefalia: Vizita ime në Ukrainë ka qenë 14 orë udhëtim në një tren të kohës ruse me shtëllunga të tymit të zi, apo kur treni ndaloi në Poloni u futën edhe vagona të tjerë mes pasagjerëve. Mesa duket ishin me armatim.
Zeka: Nuk do të marrësh shembull trenin Tiranë-Durrës?
Qefalia: Për t’i rënë shkurt, mbërritëm në Parlamentin e Ukrainës. Kishin ardhur jo shumë delegacione megjithëse ftesa kishte qenë për të gjithë vendet që e mbështetën. Shkuam atje, në cantën e një kolegut tonë, zotit Deliu, u gjet një flamur shqiptar të cilin ne e vendosëm në llozhat e parlamentit. Sigurisht që ishin emocione të papërshkrueshme kur e gjithë salla e Kuvendit, opozitë dhe mazhorancë, u drejtuan dhe brohorisnin Albania, Albania. I gjithë qyteti në mbrëmje ishte një qytet i errët ku nuk dukej asgjë. Një errësirë totale. Sinjalet e alarmit ishin të herëpashershme dhe ne nën ankthin e një lufte tashmë, jo thjesht vizitorë që kishim ardhur për të parë, detyroheshim të lëviznim dhe kur mbërritëm në godinën e hotelit e kuptuam se atje ka drita sepse të gjitha jashtë ishin të izoluara.
Erjona: Po në Kiev gjatë ditës dolët? Ka shumë që thonë, përfshirë edhe kryeministrin e Sllovakisë, se nuk ndihet lufta në Kiev. Lokalet dhe dyqanet janë hapur.
Zeka: Të të tregoj një sekret para se të kthehemi sërish te Xhemaili. Hallin deputeti gjatë gjithë kohës e ka pasur se masat e sigurisë ishin marrë më të mëdha për të ruajtur Pandeli Majkon sepse ka qenë Kryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes. Kështu që Xhemaili e kishte brengën që po shpëtoi Pandi, çfarë do të thotë ai te varri i këtij pastaj. Pse nuk vdiq në Kosovë, por vdiq në Ukrainë. Na fal për humorin por…
Qefalia: Jo jo, është reale. Natyrisht qenia me ne e ish-kryeministrit apo ministrit të Luftës së Kosovës do të merrte patjetër rëndësi të veçantë. Në kohën kur ishim ne kishte një vëmendje të jashtëzakonshme për grupin parlamentar që kishte ardhur nga parlamentet e Evropës. Kishte një ruajtje dhe siguri absolute dhe gjëja që më bëri përshtypje ishin masat që kishin marrë përfaqësuesit e Ukrainës për të na dërguar në vende ku kishte pasur dëme.
Më kujtoheshin rrëqethëse pamjet e një kopshti fëmije ku gjendeshin lodrat e tyre të hedhura për tokë dhe një ushtar që u kishte drejtuar armën. Pra nuk është se nuk ndjehej ankthi, por atë ta krijonin më tepër situatat që vinin. Sikur të mos mjaftonte kjo, konsulli i Ukrainës na tha që për ta parë tamam luftën nga afër, ju duhet të vini në Kharkiv, një zonë 3 çerek ore në afërsi të kufirit me Rusinë. Këtu nga dëshira e madhe për të parë për kureshtje zonën e luftës nga afër thash me vete po mua ç’mu desh kjo gjë. Lëvizëm me makinë 6-7 orë të tjera dhe aty dukej tamam ankthi dhe situata e luftës. Në Kharkiv jemi njohur ekzaktësisht me erën e luftës. Aty kemi parë që nuk funksiononte asgjë, pushteti vendor ishte i instaluar nëpër bodrume. Nuk kishte më shkolla, një kafe ishte diçka e futur në bodrum. Kishte çadra të krijuara për pleqtë të cilët trajtoheshin me çaj, pra ndihma humanitare ishte për t’u marrë shembull. Ashtu sikurse kishte në rrugë vëzhgimin e ndonjë ushtari. Lufta prej një viti i kishte bërë ata që të ishin të aftë të kontrollonin shumë gjëra. Më bëri përshtypje që djem dhe vajza të reja militonin në radhët e ushtrisë ukrainase, pasi për shkak të ligjit të luftës atje ndaloheshin të udhëtonin jashtë vendit persona mbi moshën 60-vjeç.
Zeka: Erjona, ti e the edhe më herët që që kur ke qenë ti nisi lufta.
Erjona: Pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nisi dy vite më parë, por lufta nisi që në fundin e 2013-ës dhe fillimin e 2014-ës. Unë kam qenë në Ukrainë në maj të 2014-ës. Kam udhëtuar gjithashtu me tren nga Lvivi për në Kiev, tek pull e vetme, femër. Nuk ishte situatë si kjo e sotmja por kisha aq shumë kuriozitet për ta parë Kievin, pasi kisha raportuar aq shumë për revolucionin portokalli, për Julia Timoshenkon dhe shumë zhvillime saqë të them të drejtën kur kam mbërritur të nesmen në mëngjes në Kiev, mund të mos më besoni, por më kanë dalë lot nga sytë. Më dukej e pabesueshme që isha pikërisht aty, në këtë vendin që kisha përshkruar apo raportuar. Atëherë ka nisur lufta sepse Viktor Janukoviç ka vendosur për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizimit dhe të asociimit politik të tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian. Këtu nisi gjithçka, protestat masive, ishte revolucioni i dytë që ngrihej në Ukrainë, pati qindra të vrarë nga Berkuti. Kanë qenë protestat më të dhunshme nga shkurti, që nga shpallja e pavarësisë së Ukrainës. Njerëzit u pozicionuan në shkurt me tenda dhe nuk donin të largoheshin as në muaj, pasi me arratisjen e Janukoviç kërkonin një lloj drejtësie. Në atë kohë u zgjodh edhe Poroshenko, i ashtuquajturi “mbreti i çokollatës”, si President. Këtu nisi pasi Rusia aneksoi Krimenë, filloi lufta në rajonin e Dombasit dhe këtu nisi gjithçka për të vijuar më pas në 10 vite te pushtimi. Kjo është panorama që pash unë. Ishte krejt ndryshe asokohe, por ndihej atmosfera kundër Rusisë.
Top Channel