Protestë e dhunshme e fermerëve para Këshillit Evropian në Bruksel/ 900 traktorë në qytet, policia hedh ujë për të mbrojtur selinë e unionit

26/02/2024 15:44

Fermerët u përplasën të hënën me policinë në Belgjikë, duke hequr barrierat e vëna nga policia, ndërsa ministrat e Bujqësisë të Bashkimit Evropian ishin mbledhur në Bruksel për të gjetur zgjidhje për shqetësimet e tyre.

Policia tha se 900 traktorë kishin hyrë në qytet, shumë prej të cilëve ishin shumë afër ndërtesës së Këshillit Evropian, ku po mblidheshin ministrat. Protestat e fermerëve janë përhapur edhe në vende të tjera evropiane.

Tymi mbuloi qiellin pranë vendit ku policia belge përdori uji kundër fermerëve për të mbrojtur selinë e BE-së. Policia kishte vendosur barrierave prej betoni dhe tela me gjemba.

Fermerët thonë se janë të zemëruar me burokracinë e bllokut dhe konkurrencën nga importet e lira, nga vendet ku standardet relativisht të larta të BE-së nuk përmbushen.

“Nuk është e drejtë që gjatë gjithë kohës ndaj nesh zbatohen standarde të cilat bëhen praktikisht absurde ndërsa lejojmë prodhime ushqimore në vendin tonë që nuk i plotësojnë ato standarde”, thotë fermeri belg, Gregory Deleau.

Fermerët bllokuan rrugët kryesore që të çojnë në qendër të Brukselit, duke rreshtuar traktorë. Brenda ndërtesës së Këshillit të BE-së, ministrat evropianë thanë se po punojnë për të trajtuar shqetësimet e fermerëve.

“Belgjika, që ka presidencën e BE-së, ka marrë 500 propozime nga vendet anëtare, që është një shifër e lartë, por e rëndësishme. Ne do t’i analizojmë ato. I kemi dërguar në Komision dhe shpresojmë që përgjigjet do të jenë të mjaftueshme”, tha të hënën zëvendëskryeministri belg, David Clarinval.

Besimi mes nesh është thyer. Duhet të rikthejmë besimin e fermerëve dhe blegtorëve tanë se Bashkimi Evropian dhe në këtë rast qeveria spanjolle, i mbron, i mbështet dhe sigurisht i merr parasysh problemet e tyre”, tha ministri spanjoll i bujqësisë, Luis Planas Puchades.

Gjatë fundjavës, Presidenti francez Emmanuel Macron u prit me fishkëllima në hapjen e Panairit Bujqësor të Parisit nga fermerët e zemëruar që e fajësojnë atë se nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i mbështetur ata.

Para hapjes zyrtare, disa dhjetëra protestues kaluan me forcë përmes barrierave të sigurisë dhe hynë në vend ndërsa Presidenti po mbërrinte.

Takimi në Bruksel të hënën u mbajt ndërsa fermerët kanë shtuar protestat këtë vit, jo vetëm në Francë, por edhe në Poloni, Gjermani, Spanjë, Itali, Republikën Çeke dhe Sllovaki. Ata ankohen për kosto të larta, importe të lira si dhe kufizime të nxitura nga nisma e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së.

Fermerët polakë rreshtuan rreth 100 traktorë duke bllokuar një nga hyrjet kryesore për në Gjermani.

“Ne po protestojmë kundër asaj që Bashkimi Evropian dhe Parlamenti Evropian po na propozojnë në lidhje me të Marrëveshjen e Gjelbër. Ne duam të tregojmë solidaritetin tonë me të gjithë protestuesit në Poloni, në Gjermani, Francë, Spanjë, ne fermerët jemi bashkë. Në fakt të gjithë presim të njëjtën gjë nga ata që janë në pushtet në Parlamentin Evropian”, thotë Dariusz Wrobel, fermer dhe sipërmarrës nga Polonia.

Fermerët protestuan edhe në Madrid të hënën për të kërkuar veprime nga politikëbërësit mbi një sërë vështirësish me të cilat po përballen nga çmimet e lira në supermarkete, te importet me kosto të ulët që ulin prodhimin vendas e deri te rregullat e rrepta mjedisore të BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA