Protestat e fermerëve kundër politikave bujqësore kombëtare dhe europiane kanë përfshirë javët e fundit rreth gjysmën e vendeve anëtare të bllokut europian.
Në Gjermani, fermerët janë të shqetësuar për uljen e planifikuar të subvencioneve për karburante. Në Poloni dhe vende të tjera të Evropës Lindore, ata po bllokojnë rrugët dhe pikat kufitare sepse duan të parandalojnë importet e lira nga Ukraina.
Shoqata europiane e fermerëve COPA bën thirrje për rregulla më pak të rrepta mjedisore, më pak burokraci në rregulloret komplekse të politikës bujqësore të BE-së dhe kushte më të mira në konkurrencën ndërkombëtare. Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tashmë ka reaguar dhe ka tërhequr një ligj të propozuar që do të përgjysmonte përdorimin e pesticideve në Evropë. Por kjo nuk mjafton për fermerët protestues në disa shtete.
Ata duan më shumë përjashtime, më pak rregullore dhe më shumë vlerësim nga Brukseli. Komisioni i BE-së doli së fundi me propozime të reja për të qetësuar protestat, duke pohuar se rregullat duhen zbutur e duhen përjashtime për ta bërë më të lehtë marrjen e subvencioneve. BE-ja tani do të diskutojë për koncesionet për bujqësinë. Ende nuk dihet qartë nëse do të ketë më shumë para e më pak detyrime, por vendimet priten së shpejti.
“Disa muaj para zgjedhjeve që do të jenë vendimtare për të ardhmen e Europës, fermerët presin të vazhdojnë aktivitetin e tyre në kushte të pranueshme, me të ardhura të përshtatshme dhe me më pak barrë administrative”, shkruan presidentja e shoqatës së fermerëve, Christiane Lambert, në një letër drejtuar Komisionit të BE-së.
Top Channel