I ftuar në “Breaking” në Top News ka qenë ish-drejtori i policisë Arben Hajdarmataj i cili ka folur për rastet e dhunës në familje të cilat mund të përfundojnë dhe në vrasje.
Sipas tij fajin e ka policia që nuk i marrin parasysh denoncimet për mos t’i hapur punë vetes, duke i neglizhuar.
Hajdarmataj: Kemi raste skandaloze përsa i përket denoncimeve në polici. Kemi rastin e dy të zhdukurve në Sarandë, ku e ëma ka shkuar të denonconte ditën e premte dhe polici i thotë hajde denonco ditën e hënë. Sepse janë disa gjëra shumë të thjeshta. Çdo denoncim që merret nga punonjësi i policisë në çfarëdo lloj niveli duhet t’i japë rrugë denoncimit. Këta punonjës policie kanë përvojën e mjaftueshme në aspektin negativ që mos t’i nxjerrin punë vetes. Pra mundohet që me një bisedë para komisariatit “hë mo se s’ka gjë, hë se do zgjidhet, hë se do bëhet” dhe nuk është i prirur t’i nxjerrë punë vetes dhe të shënojë në dokumente rastin. Ai dokument duhet të ndiqet, të shkojë në prokurori, sepse në gjykatë, kur shkojnë i japin urdhrin e mbrojtjes. Në shumicën e rasteve këtë e neglizhojnë dhe vijmë tek pjesa që ndodhin ato pasoja që i kemi diskutuar shumë shpesh.
Top Channel