Aksidenti i tmerrshëm ndodhi mëngjesin e sotëm kur drejtuesi humbi kontrollin e mjetit të mbushur me njerëz duke u përmbysur në liqenin pranë rrugës.
Mes 15 të vrarëve gjysma ishin të mitur, në tragjedinë e këtij mëngjesi në Indi.
Traktori me karroceri po transportonte besimtarë në Kasganj në krahinën e Uttar Pradesh, drejt një pelegrimazhi në lumin Ganges. Sot në rajon celebrohej dita e Magh Purnima, kur besimtarët Hindus bëjnë banjë në lumin e shenjtë në nder të zotit vendas Vishnu.
Nuk dihet ende sesi drejtuesi humbi papritur kontrollin duke përmbysur mjetin megjithë karroceri në një pellg anës rrugës.
Disa nga dëshmitarët thonin se drejtuesi ishte përpjekur të shmangte një automjet në ardhje.
Përveç viktimave të tragjedisë, një numër i madh të plagosurish janë në gjendje kritike në spitalin Patiyali, ndërsa të tjerë janë transferuar në qendra të specializuara mjekësore.
Pamje të rënda pas aksidentit tregonin në mediat vendase grupet e ndihmës që nxirrnin viktimat pa ndjenja nga uji për t’i vendosur në ambulanca.
Familjarë të tronditur të viktimave shihen në vendngjarje.
Policia ka konfirmuar se numri aktual i viktimave ka arritur në 15, mes të cilëve të mitur e gra, sipas mjekut ligjor Dr. Rajeev Aggarwal.
Autoritetet shtonin se shifra mund të rritet teksa puna për rikuperimin e trupave vijon, shkruan TheMirror.
“Humbja e jetëve në aksidentin ne Kasganj është tronditëse. Ngushëllimet tona shkojnë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre. Administrata është udhëzuar të janë kujdesin e nevojshëm mjekësor për të plagosurit. Lutemi zotit Shri Ram t’i japë paqe shpirtrave të larguar dhe shërim të shpejtë të të plagosurve”, thuhej në deklaratën e zyrtarëve lokalë.
Top Channel