Vdekja e Navalny-t dhe dy-vjetori i agresionit rus në Ukrainë, Blinken: SHBA sanksionon 500 objektiva të lidhura me Rusinë

23/02/2024 21:44

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar sanksione për më shumë se 500 objektiva të lidhura me Rusinë në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Moska dy vjet më parë dhe vdekjes në burg të liderit të opozitës Alexey Navalny.

“Uashingtoni ka vendosur gjithashtu kufizime të reja eksporti për gati 100 subjekte për ofrimin e mbështetjes për Rusinë dhe për të ndërmarrë veprime për të reduktuar më tej të ardhurat e Moskës nga energjia”, tha të premten presidenti amerikan Joe Biden.

Për rastin ka reaguar edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ndërsa në një mesazh në rrjetet sociale shkruan: “Pas dy viteve të luftës në shkallë të plotë të paprovokuar të Rusisë, vdekjes së Aleksey Navalny dhe një dekade agresioni kundër Ukrainës, Shtetet e Bashkuara po sanksionojnë më shumë se 500 individë dhe entitete në Rusi dhe në mbarë botën.”

Subjektet dhe sektorët e shënjestruar përfshijnë sistemin rus të pagesave Mir, institucionet financiare ruse dhe bazën e saj industriale ushtarake, shmangien e sanksioneve dhe prodhimin e ardhshëm të energjisë, dhe gjithashtu do të përfshijnë zyrtarë që besohet se janë të përfshirë në vdekjen e Navalny, thanë departamentet e Thesarit dhe Shtetit.

Masat përfaqësojnë këstin më të madh të dënimeve që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt 2022 , dhe vijnë pas një serie arrestimesh dhe aktakuzash të reja që Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së njoftoi të enjten, duke synuar biznesmenë rusë, përfshirë kreun e VTB Bank në pronësi të shtetit, banka e dytë më e madhe në Rusi.

“Ata do të sigurojnë që Putini të paguajë një çmim edhe më të lartë për agresionin e tij jashtë vendit dhe shtypjen brenda vendit”, u shpreh më herët Presidenti amerikan Biden.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA