Një punonjës ndërtimi është burgosur sot në Britani pasi kishte intimiduar rreth 50 familje duke u marrë një total prej 650,000 paundë, për punime që më shumë prishnin sesa riparonin shtëpitë e tyre.
36 vjeçari Lawrence Martin, shënjestronte njerëz të dobët si një grua që kërkonte punimet për babanë saj të sëmurë, shkruan rrjeti vendas TheSun.
Ndërtuesi i pakualifikuar më pas niste presionin ndaj klientëve të tij në rajonet Hampshire e Isle of Wight që ata të dorëzonin paradhënie të mëdha, u tha në gjykatë.
Ai më pas deklaronte se më shumë punime të kushtueshme duheshin kryer dhe në fakt nuk e përfundonte kurrë punën.
Burri nga Southampton, i linte viktimat e tij me shtëpi të papërfunduara ose të shkatërruara, pa llogaritur dëmet financiare në dhjetra mijëra paundë.
Kur klientët i kërkonin përsëri paratë e parapagimit ai u thoshte se “ke më shumë shanse të fitosh llotarinë” dhe ata detyroheshin të paguanin sërish për të riparuar dëmet e kryera nga ‘puna’ e Martin.
Çifti Mark e Chrissie Bacon kishin paguar paradhënie 44,000 paundë për konvertimin e garazhit të tyre në një dhomë për babanë e sëmurë të gruas.
Por Martin nuk realizoi punën kur ata e morën në verën e 2021.
Chrissie tha: “Ishte një gabim i rëndë e i kushtueshëm, ka qenë nga periudhat më të vështira të jetës. Në atë kohë shëndeti i babait përkeqësohej, ne i kërkonim Lawrence të përfundonte punimet po ai nuk e bënte.”
Çifti kishin shpenzuar të gjitha kursimet e tyre dhe rrjedhimisht u detyruan të merrnin sërish kredi për të riparuar dëmin e punës së Martin.
Ndërtuesi u dënua sot me pesë vjet burg pasi pranoi dy akuza mashtrimi tregtar deh një akuzë mashtrimi.
Mes klientëve të Martin përfshiheshin një grua e ve, persona me paaftësi dhe familja e një burri të sëmurë.
Prokurori Ethu Crorie tha: “Ai jepte përshtypjen se ishte një profesionist i suksesshëm dhe vinte në presion klientët të pranonin kushtet e tij për të punuar shpejt, duke u kërkuar paradhënie te medha. Gjatë punës ai identifikonte punime të tjera që ‘duheshin kryer’ me kosto të mëdha”.
“Klientët ndjeheshin të detyruar të pranonin punimet e shtuara, por në të vërtetë Martin i gënjente me justifikime të ndryshme për punimet dhe se ku shkonin paratë./TheSun/
Top Channel