Janë goditur tre raste të mosdeklarimit të parave ose mallrave në pikat kufitare.
Për këto raste është arrestuar një person dhe tre të tjerë janë vënë nën hetim. Në Rinan, në hyrje u arrestua shtetasi rumun A. C., 48 vjeç dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëjetuesen e tij, shtetasen rumune F. B., 45 vjeçe, pasi nga kontrollet në valixhet e tyre, u gjetën 1490 paketa me cigare, të cilat nuk i kishin deklaruar te shërbimet e pkk-së;
Po ashtu në Rinas, në hyrje, nga kontrolli fizik, shtetasit grek K. K., 48 vjeç, banues në Londër, iu gjetën 15 000 paund dhe 570 euro, të padeklaruara. 48-vjeçari u vu nën hetim dhe u sekuestruan shumat e parave.
Ndërsa po ashtu në Rinas është ndaluar i kërkuari Rigels Dacaj, 31 vjeç nga Durrësi. 31-vjeçari, i deportuar nga Spanja pasi kishte kryer dënimin atje, për vjedhje, është i dënuar nga Gjykata e Durrësit, me 3 muaj burgim për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim;
Në dalje të Portit të Durrësit, gjatë kontrollit fizik të shtetasit H.N i cili drejtonte automjetin “Iveco”, iu gjetën 19 715 euro të padeklaruara. Për këtë person nisi procedimi në gjendje të lirë dhe u sekuestrua shumë e parave.
Në hyrje të pikës kufitare të Hanit të Hotot, u ndalua një 49-vjeçare kosovare Ardita Avdiu e cila ishte shpallur në kërkim. Ajo është dënuar nga Gjykata e Durrësit, me 6 muaj burgim për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”;
Ndërsa në kufirin e Morinës është ndaluar një kosovar 32-vjeçar gjithashtu i shpallur në kërkim për veprën penale “Kanosje” .
Materialet procedurale i kaluan prokurorive kompetente të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprime të mëtejshme.
Top Channel