Një person i njohur nga policia si pjesë e botës së krimit në Shqipëri, veçanërisht në zonën e Vlorës, u arrestua natën e kaluar në një lagje periferike të Durrësit.
I dënuar më parë për vrasje, Armando Sulejmani, ish-anëtar i bandës së Gaxhait, po lëvizte me një automjet tip Mercedez Benz me targa të vjedhura në zonën e Spitallës kur i është kërkuar nga forcat “Shqiponja” të ndalojë. 48-vjeçari nga Vlora, i njohur dhe me nofkën “Çipuri”, nuk iu bind urdhrit të policisë dhe tentoi të largohet me shpejtësi.
Veprimet e shpejta policore çuan në kapjen dhe prangosjen e tij. Policia dyshon se ky person, që lëvizte vetëm natën me automjet me targa të vjedhura, po përgatitej të kryente një krim të rëndë kundër personit, dyshime këto që duhen dokumentuar në vijim nga grupi hetimor.
Nga verifikimet e policisë rezultoi se targat e automjetit tip “Mercedes Benz”, që drejtonte i arrestuari ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i cili është vjedhur më 3 nëntor të vitit të kaluar, në Tiranë. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, u gjetën dhe targat origjinale të këtij automjeti që ccuan në identifikimin e shpejtë të pronarit të automjetit. Ai është një 26-vjeccar me banim në Tiranë që u shpall në kërkim pasi dyshohet si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”.
Automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij origjinale dhe targat e vjedhura janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë.
“Vijon zbatimi i masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Zëvendësimi”. Sekuestrohet një automjet me targa të vjedhura, që dyshohet se do të përdorej për të kryer ngjarje kriminale.
Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me targa të vjedhura, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje.
Shpallet në kërkim një 26-vjeçar, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor për vjedhjen e targave.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në zbatim të masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që qarkullonte me një automjet me targa të vjedhura, që mund të përdorej për kryerjen e ngjarjeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Zëvendësimi”, për kapjen e këtij shtetasi dhe sekuestrimin e automjetit.
Gjatë operacionit, në Spitallë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Mercedes Benz”, me drejtues shtetasin A. S., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap shtetasi A. S. dhe u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
Nga veprimet hetimore rezultoi se targat e automjetit tip “Mercedes Benz”, që drejtonte ky shtetas, ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i vjedhur më datë 03.11.2023, në Tiranë. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 48 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vrasje.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. Z., 26 vjeç, banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”.
Automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij dhe targat e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.
Top Channel