Mes thirrjeve për zbardhjen e vdekjes së tij, Moska zyrtare pohoi vetëm se vdekja e Aleksei Navalnyt të burgosur në një koloni penale të rrethit Arktik ishte pasojë e një sëmundjeje të papërcaktuar të zemrës.
“Sindroma e vdekjes së papritur”, këtë përmendën zyrtarët në arsyetimin e dhënë largimit të paprirut nga jeta të opozitarit 47 vjeçar, kritik i përbetuar i Kremlinit.
Por Vladimir Osechkin, disident rus dhe aktivist për të drejtat e njeriut, beson se ka një tjetër arsye për këtë vdekje tronditëse: Sipas tij, mavijosjet e gjetura në trupin e Navalny korrespondojnë me pasojat e metodës së ekzekutimit “me një goditje të dhunshme”. Bëhet fjalë për një grusht të vetëm në zemër, një teknikë e hershme kjo e përdorur nga KGB-ja.
“Është metodë e vjetër e departamenteve speciale të shërbimit sekret. Ata i trajnojnë operativët e tyre për ta vrarë një njeri me një goditje të vetme në zemër, në pjesën qendrore të trupit. Kjo është shenja e KGB-së”, tha Osechkin për Times.
Osechkin mendohet se është themeluesi i organizatës Gulagu.net, e cila mbledh dëshmi nga të burgosurit dhe punonjësit e burgjeve famëkeqe ruse. Këtë informacion, sipas Times, ai e mori nga një person i punësuar në koloninë penale të Arktikut, pikërisht aty ku ishte vendosur Navalny. Në një videomesazh të sajin më herët, Yulia Navalnaya, e veja e liderit të opozitës ruse, e akuzoi Vladimir Putinin për vrasjen e bashkëshortit të saj dhe pretendoi se ai ishte helmuar me agjentin nervor Novichok.
Ajo akuzoi gjithashtu autoritetet ruse se po përpiqeshin të mbulonin vrasjen, duke refuzuar të dorëzonin trupin e kryeopozitarit. Osechkin nuk është i bindur për këtë dhe pretendon se autoritetet ruse mund ta kishin vrarë Navalny-n si të donin, por normalisht nuk do të dëshironin të linin në trupin e tij “një shenjë e cila të çonte drejtpërdrejt te Putini”.
Aktivisti pretendon se para vdekjes, Navalny u detyrua të kalonte deri në katër orë në izolim, ku temperatura ra në minus 27 gradë Celsius. Sipas tij, ata fillimisht e dëmtuan organizimin e liderit opozitar duke e mbajtur në të ftohtë për një kohë të gjatë, dhe duke ngadalësuar në minimum qarkullimin e gjakut, e paskësaj, thotë Osechkin, bëhet shumë e lehtë të vrasësh dikë, brenda pak sekondash, nëse operativi ka përvojë, e kjo nuk lë gjurmë për shkakun e vdekjes.
Top Channel