Dy ditë më parë, Donald Trump theu heshtjen mbi vdekjen e kryeopozitarit rus, Alexei Navalny, duke thënë përmes një postimi në rrjetet sociale se “largimi i tij i papritur nga jeta më bën gjithmonë e më të ndërgjegjshëm për atë çfarë ndodh në vendin tonë”, por nga ana tjetër nuk fajësoi për këtë ngjarje si shumë liderë të tjerë botërorë Vladimir Putinin.
Tani, ish-presidenti amerikan që kërkon rikthimin në krye të Shtëpisë së Bardhë me biletën republikane, befasoi me krahasimin që i bëri vetes me kundërshtarin e ndjerë të Putinit, duke u paraqitur edhe ai si një i persekutuar politik.
“Navalny ishte në një situatë shumë e trishtuar, por ishte edhe një djalë shumë i guximshëm sepse u kthye mbrapsht në vendin e tij. Ai fare mirë mund të kishte qëndruar larg, dhe sinqerisht mendoj se, ndoshta do të kishte qenë shumë më mirë të rrinte larg dhe të fliste nga jashtë, sepse pas rikthimit, njerëzit menduan se pikërisht kjo mund t`i ndodhte dhe ajo ndodhi. Kjo është një gjë e tmerrshme, por po ndodh edhe në vendin tonë. Po kthehemi në një vend komunist në shumë mënyra. Tani, unë jam kandidat kryesor dhe nuk kisha dëgjuar të më akuzonin më parë, ndërsa tani jam paditur katër herë, kam tetë apo nëntë gjyqe të hapura, e të gjitha këto për faktin se jam në politikë”, tha Trump.
Krahasimin me Navalnyn, ai e zgjati më tej duke hequr paralele me rastin e disidentit të përballur me gjykatat ruse për akuza të cilat ai vetë i cilësonte si akuza politike të montuara. Trumpi kujtoi sesi një gjykatës në Nju Jork e urdhëroi atë të paguante 355 milionë dollarë gjobë me pretendimin se kishte gënjyer për pasurinë e tij për vite me radhë. “Është një formë Navalny dhe kjo”, u shpreh ai, “një formë komunizmi, fashizmi”, ndërsa pavarësisht insistimit të gazetares, nuk e përmendi Putinin kur u pyet për liderin opozitar rus.
Top Channel