Një faktor mjaft i dyshimtë që ndikon për sëmundjet e shëndetit mendor ka si shkaktare ndotjen nga metalet e rënda që mund të përhapen në ujë, mjedis apo prodhimet që marrim nga toka.
Pikërisht, ky është një prej dyshimeve për statistikat e larta në zonën e Vaut të Dejës. Ne u përpoqëm të zbulojmë diçka më shumë në lidhje me këtë pistë që dyshohet nga gjeologët dhe banorët e zonës duke pasur parasysh hartën e pasur me minerale.
Ne morëm dy mostra uji në mënyrë rastësore për të kuptuar përmbajten e mundshme të metaleve të rënda. Të parën në Gomsiqe, në lumin pranë minierës që nxjerr mangan dhe tjetra në një çesmë të ujit të pijshëm nga rrjeti. Pas analizave të kryera rezulton se treguesit për metalet kryesore janë brenda normave të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave numër 379 për ujin e pijshëm.
Ndonëse janë në përputhje me normat e përcaktuara në legjislacionin e vendit tonë, e kundërta ndodh me standardet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Referuar këtyre parametrave treguesit në përgjigjet e analizave për dy mostrat e ujit për metalet e rënda janë shumëfish më të larta.
Konkretisht, te mostra e ujit të pijshëm nga rrjeti, kadiumi është sa gjashtëfishi i normës së OBSH, ndërsa kromi është tetëfish më i lartë. Në këto kushte, mund të themi se nevojiten përmirësime në këtë fushë për të siguruar shëndetin e qytetarëve duke përshtatur ligjet me standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në krahasimin mes dy mostrave, konstatohet diçka që tingëllon sa e çduditshme, aq edhe alarmante. Rezulton se treguesit e ndotjes me metale, janë disa herë më të larta te uji i pijshëm i rrjetit, se sa tek uji i lumit. Thënë më thjesht, uji i lumit në këto tregues rezultoi më i pastër se ai që mbërrin në çezmat e banorëve.
Konkretisht, kromi është 6-7 fish më i lartë në ujin e rrjetit sesa në ujin e lumit. Gjithashtu antimoni është 20-fish më i lartë në ujin e pijshëm sesa në ujin e lumit. Kjo lë vend për dyshime të mëdha se çfarë ndodh me ujin.
Analizimi që ne kryem, ishte i përgjithshëm. Ekzistojnë analiza edhe më specifike që mund të çojnë në rezultate edhe më të qarta. Pikërisht për këtë arsye nevojiten që në këtë zonë të kryhen studime të mirëfillta për të gjithë elementët natyrorë që mund të kenë ndikim në shfaqjen e një numri kaq të lartë të personave me aftësi ndryshe.
Veç faktorit mjedisor, përhapjes së lëndëve të rrezikshme në tokat bujqësore, ujin e pijshëm, problematikat shëndetësore mund të kenë edhe baza gjenetike. Gjithsesi, ekspertët gjykojnë se të gjitha ndërthuren me faktorin njeri, dhe dëmin që po i bëjmë mjedisit.
Top Channel