Bonusi i tërmetit nuk po merret! Banorët protestojnë në Durrës: Na mbajnë me llafe, nuk paguajmë dot qiranë

20/02/2024 12:37

Përfaqësues të banorëve të dëmtuar nga tërmeti dhe të kategorive me probleme sociale protestuan këtë të martë para bashkisë së Durrësit.

Ata deklarojnë se po përballen me vështirësi të shumta ekonomiko-sociale pasi prej muajsh nuk përfitojnë bonusin e qirasë për strehimin dhe atë të dëmtimit nga tërmeti.

“Ishim brenda me dy pjesëtarë nga komuniteti rom dhe egjiptian, ku realizuam një takim me nënkryetarin e bashkisë. ai mori disa informacione dhe për pjesën e bonusit 50 me 50,  na është thënë që ditën e hënë do kemi përgjigjen përfundimtare, ku do të kalojmë pjesën e pagesës së lekëve”, tha Ismail Jakupi, përfaqësues i komunitetit rom e egjiptian në Durrës.

“Jam rrugëve fare, te bashkia kam shkuar më kanë thënë po po po , asgjë nuk po bëjnë, po më mbajnë me llafe, me të mirë. Jetesa jonë është 0 fare”, tha një grua.

“Pronarët kërkojnë lekët, ne nuk kemi, ku të shkojmë. Mirë që po ngelim jashtë, por të paguajmë lekët që kemi borxh te pronari”, u shpreh një grua tjetër.

Drejtues të bashkisë së Durrësit kanë pritur përfaqësues të grupimeve të ndryshme qytetare dhe u kanë premtuar që javën e ardhshme do të marrë zgjidhje shqetësimi i tyre, ndërsa banorët deklarojnë se do e vijojnë protestën e tyre nëse nuk do të marrin bonusin e qirasë në vazhdim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA