Dy vëllezër ranë në pranga gjatë kësaj të diele në Sarandë.
Gjatë operacionit të koduar “Knock Out 5”, ranë në pranga H. O., 61 vjeç dhe H. O., 56 vjeç të dy banues në lagjen nr. 1, Sarandë, pasi mbanin në banesa lëndë plasëse, me qëllim shitjen e tyre.
Policia shpalli në kërkim një 26-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor në përgatitjen e lëndës eksplozive, që dyshohet se do të përdorej nga grupet kriminale, ndërsa nisën hetimet për L. Ç., 58 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij policia gjeti një sasi municioni luftarak.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e këtyre 2 shtetasve, gjetën dhe sekuestruan 5 kapllëpe tritoli (2 prej tyre të programuara për shpërthim në distancë), 7 kapsolla detonatore dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.
Më herët, gjatë operacionit policor “Knock Out 4”, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, Policia e Vlorës sekuestroi 1 minë me telekomandë, 5 armë zjarri dhe municion luftarak, si dhe vuri në pranga poseduesin e tyre.
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë, për të dokumentuar veprimtaritë kriminale të këtyre shtetasve, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
Top Channel