I riu që qëlloi me thikë në krah një 55-vjeçar një ditë më parë në Kavajë ka rënë në prangat e policisë.
Armando Shtini është 22-vjeçari që dyshohet për plagosjen e një tekniku elektroshtëpiakesh në lagjen 5 të qytetit të Kavajës.
Ngjarja u regjistrua paraditen e së shtunës dhe i plagosuri që ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Durrësit ndihmoi për identifikimin e tij. Policia e Durrësit bën me dije se në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 17.02.2024, në lagjen nr. 5, Kavajë, ku u godit me mjet prerës të llojit thikë, shtetasi I. K., 55 vjeç, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas disa orë kontrollesh në zonë për kapjen e autorit, kanë lokalizuar, kapur dhe arrestuar shtetasin Armando Shtini, 22 vjeç, autor i dyshuar i plagosjes së 55-vjeçarit.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë, sekuestruan mjetin prerës me të cilin dyshohet se ka kryer plagosjen, si dhe automjetin me të cilin 22-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes. Ngjarja ndodhi për motive të dobëta. I riu ka pretenduar se 55-vjeccari i ka ngacmuar të ëmën dhe në gjaknxehtësi e sipër e ka qëlluar me thikë në krah. Hetimet e mëtejshme për ngjarjen do të kryhen nga Prokuroria e Durrësit.
Top Channel