Parandalohet ngjarja kriminale në Tropojë, 51-vjeçari plagos me thikë fqinjin për prona. I sekuestrohen mitraloz, automatik dhe fishekë
17/02/2024 13:04
Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar në Tropojë.
Pas njoftimit se në fshatin Margegaj, disa persona po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, policia ka mbërritur në vendngjarje, dhe arrestoi 51-vjeçarin G. B., banues në fshatin Margegaj.
Ky person pas një konflikti për motive pronësie, me fqinjin e tij, shtetasin H. B., 61 vjeç, e ka plagosur atë me mjet prerës, në krah.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit G. B., gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri mitraloz, 2 armë zjarri automatik, 2420 fishekë dhe 5 uniforma ushtarake.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel