“Po përpiqemi të konfirmojmë lajmin”/ SHBA reagon për vdekjen e raportuar të Navalnyt: Shenjë e brutalitetit të Putinit

16/02/2024 16:47

Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë të premten se Shtetet e Bashkuara janë duke punuar për ta konfirmuar vdekjen e liderit opozitar rus, Alexei Navalny, kritikut të zëshëm të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Harris, duke folur nga Konferenca e Munihut në Gjermani, tha se nëse konfirmohet vdekja e tij, do të jetë një tregues tjetër i brutalitetit të presidentit Putin.

Ky është një lajm i tmerrshëm, për të cilin po punojmë që ta konfirmojmë. Nëse konfirmohet, ky do të ishte një tregues i mëtejmë i brutalitetit të Putinit. Çfarëdo rrëfimi që ata të kenë [Rusia], më lejoni të jemi të qartë: Rusia është përgjegjëse. Më vonë do të komentojmë më shumë për këtë çështje”, tha ajo.

Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit.

Në deklaratën e Shërbimit Federal të Burgjeve u tha se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen.

Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Mediat e kontrolluara nga shteti rus po ashtu kanë cituar këtë deklaratë, duke raportuar se Navalny, 47 vjeç, ka vdekur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA