Shkodra, është qyteti i parë, ku demokratët me në krye Gazmend Bardhin dhe Flamur Nokën, kanë nisur takimet me strukturat.

Ata theksuan se dyert e Partisë Demokratike janë të hapura për çdo njeri dhe për çdo demokrat ndërsa insistojnë se si kryetar njohin vetëm Sali Berishën.

Për Flamur Nokën, Lulzim Basha dhe Enkeleid Alibeaj janë pengjet e regjimit.

Nga qyteti veriperëndimor, Bardhi iu përgjigj edhe deklaratës së kryedemokratit Lulzim Bashës se “nga SHBA, përfundoi poshtë Rrugës së Salës”, referuar protestave poshtë banesës së Sali Berishës, që ndodhet në arrest shtëpie.

“Asnjë përgjigje, nuk kam kohë për të humbur me batuta pa asnjë vlerë. Unë jam aty ku janë demokratët“, tha Bardhi për mediat.

Bardhi ka hedhur pas të shkuarën kur dikur mbronte selinë dhe vulën nga Sali Berisha, sot e njeh jo vetëm si kryetar por kërkon që gjykata t’i japë të drejtë.

“Ka një pjesë shumë të vogël të demokratëve që ende janë në një rrugë të gabuar dhe unë gjej rastin nga Shkodra ti ftoj ti bashkohen PD ti bashkohen betejës kundër Edi Ramës.

Rruga e tyre për të qëndruar përballë opozitës dhe jo përballë Edi Ramës, në gjykimin tonë është një rrugë e gabuar që nuk e ndihmon Shqipërinë dhe popullin opozitar.
Pothuajse demokratët janë të bashkuar edhe në bazë, turi jonë do të synojë për të thithur edhe ata pak demokratë që ndodhen në një rrugë të gabuar. Duhet të jenë me ne për të qënë përballë Edi Ramës dhe jo përballë opozitës. Secili prej deputetëve duhet të jetë në PD. E kanë vendin te PD krah demokratëve përballë Edi Ramës. Cilido që zgjedh një rrugë tjetër nuk përfaqëson PD dhe nuk është në PD.
Unë jam aty ku janë demokratët. Kam bindjen e plotë se PD është e bashkuar, ato pak kolegë që nuk janë bashkuar ende të jeni të sigurtë që do e kuptojnë se janë në rrugë të gabuar dhe vendi i tyre është krah demokratëve përballë Edi Ramës. Nuk ka askush dyshim dhe nuk do duhet të ketë as dyshim dhe gjykata se ku është dhe kush është PD. Sa kohë e kanë zgjedhur shumica e anëtarëve të PD Sali Berisha është kryetar i PD. Demokratët kanë ditur të tregojnë forcën e tyre të vërtetë sa herë që kanë qënë në momentet e tyre të vështira. Duke qënë të gjithë bashkë na jep forcë dhe do ta tejkalojmë”.

Shkodra është qyteti ku ka nisur çdo përmbysje regjimesh, u shpreh Noka, duke shpjeguar se përse i nisën takimet në këtë qytet.

“Shkodra është qyteti i qëndresës, i rezistencës, është qyteti ku ka nisur çdo përmbysje regjimesh. Ndaj, jo rastësisht, pas bashkimit tonë përfundimtar, e nisëm këtë proces të bashkimit në Shkodër. Nga Shkodra, do të nisim qëndresën për rrëzimin e këtij regjimi kriminal të Edi Ramës”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA