Dy nga zonat më të rrezikshme për popullatën në atë kohë ishin Rruga Bardhyl dhe ish restorant Durrësi.
Në këto lagje, u evidentuan grupet e para dhe më të forta të Tiranës që ishin në rivalitet mes tyre.
Grupet kryesoheshin nga Gaz Muça i Rrugës Bardhyl dhe Naim Zyberi i ish-restorant Durrësit.
“Ishin dy fenomene të dy lagjeve, që në lagjet e tyre ishin të parët kuptohet që gjelat e lagjeve do të shkonin në përplasje dhe përplasja ishte fatale”, u shpreh Shkëlqim Hajdari, ish-prokuror.
“Unë e kisha parë vetë Gazmend Muçën hipur mbi një kalë dhe që ecte rrugëve, mes rrugës Bardhyl dhe rrugës së spitaleve. Bashkë me moshatarët e mi thoshim ç’është ky djalë simatik i bukur i pashëm dhe që ecte serbes dhe si bënte syri tërrc”, u shpreh gazetari, Roland Qafoku.
Sipas dëshmive të atyre që kanë jetuar zhvillimet e asaj periudhe tranzicioni, Tirana e viteve të para nuk kishte banda të mirëfillta, por grupe “të fortësh” me autoritet brenda lagjeve të tyre. Disa të ashtuquajtur “gangësterë” të parë të demokracisë, nisën të mbledhin rreth vetes djem problematik për të krijuar grupet e tyre. Këto formacione shoqërore, më shumë kishin si qëllim që të tregonin “burrërinë”, forcën e tyre, sesa të merreshin me trafiqe apo krime të sofistikuara.
“Unë e them edhe sot që Gaz Muça nuk mund të ishte bandë për Shqipërinë e asaj kohe. Ai pas 20 viteve mund të bëhej bandë por ky është hamendësim. Tirana funksiononte me të fortët e lagjes dhe çdo lagje kishte të fortët e saj dhe Gaz Muça ishte më i forti i të fortëve”, u shpreh gazetari, Roland Qafoku.
“Nuk mund të quheshin organizata kriminale në atë kohë ishin thjeshtë grupime deri në ‘90 quheshin për akte vagabondash e pastaj filluan të ishin grupe me veprimtari kriminale në bashkëpunim e pastaj u bënë grupe të strukturuara e pas viteve 2000 këto mund të quhen organizata të mirëfillta kriminale”, u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.
Top Channel