Në ngarkim të Arben Grorit, drejtësia shqiptare ka një tjetër dosje ku dyshohej për implikimin e tij në një vrasje të dyfishtë të kryer në vitin 2000.
Në fund, ai u lirua nga akuzat për ngjarjen në fjalë, por episodi, u bë shkas për çeljen e hesapeve të vjetra me drejtësinë.
Edmond Murra dhe Saimir Cala, u gjetën të vdekur brenda një veture në zonën e Lundrës në periferi të Tiranës. 700 metër larg skenës së krimit, u prangos Arben Grori.
Ndërkohë, policia kapi në flagrancë shtetasin Agron Tresa që ishte pranë makinës me dy viktimat. Disa metra larg viktimave, pranë një ferre u gjet edhe arma e krimit, një pistoletë. Sipas dëshmisë së Agron Tresës ekzekutimi nuk ishte kryer aty ku u gjetën nga policia.
Rreth 300 metra më tutje ka ndodhur vrasja. Aty ka edhe njolla gjaku në rrugë …
Vrasja ka ndodhur pasi dy personat në fjalë i kishin vendosur një gjobë Agron Tresës. Mëngjesin e asaj dite Edmond Murra dhe Saimir Cala kanë shkuar pranë hotelit ku ndodheshin Arben Grori dhe Agron Tresa. Ata fillimisht i kanë kërkuar Agron Tresës që të hypi në makinë me ta dhe janë larguar. Por pas disa minutave janë kthyer për të marrë edhe Arben Grorin. Sipas dëshmive të të pandehurve rrugës kanë zhvilluar një debat.
Rrugës u zhvillua një debat I ashpër mes Agronit, Edmondit dhe Saimirit. Objekti i këtij debati ishte një shumë e madhe parash që I kishin vendosur si gjobë.
Gjatë kësaj kohe Arben Grori zbret nga makina dhe tre personat e tjerë vazhdojnë rrugën për në Farkë të Madhe. Në dëshminë e dhënë, Grori ka mohuar të ketë marrë pjesë në krim. Ai ka deklaruar se ka dëgjuar krismat pasi zbriti nga makina.
Unë zbrita sepse Agroni më tha zbrit sepse kam pak punë. Ata vazhduan rrugën dhe unë kam qëndruar aty për disa minuta, pastaj kërkova të largohesha në drejtim të Lundrës. dëgjova zhurëm pistolete dhe u ktheva mbrapshtë se thashë që do jenë zënë dhe kur dëgjova krisma të tjera u friksova dhe fillova të largohem….
Në momentin e arrestimit, Arben Grori nuk bëri rezistencë. Pak çaste më vonë policia ndaloi edhe Agron Tresën. Ai mbajti përsipër të gjithë përgjegjësinë duke deklaruar se e ka kryer vetë vrasjen. Të njëjtin version ka mbajtur edhe Arben Grori.
Vrasjen e kam bërë i vetëm me anë të një pistolete që e mbaj me vete dhe është pa leje. Jam detyruar që ta bëjë këtë vrasje pasi Edmondi dhe Saimiri më kanë sharë dhe goditur me grushte. Ndihesha I kërcënuar sepse më kishin vënë një gjobë prej 80 milionë lireta.
Atë ditë pasi Arbeni zbriti nga makina Edmondi nxorri një pistoletë….
Top Channel