Donald Trump nuk është tërhequr nga linja që ndodhi kundrejt partnerëve të NATO-së në kohën kur ishte ne krye të Shtëpisë së Bardhë.
Njeriu që me shumë gjasë do të sigurojë nominimin republikan në presidencialet e këtij viti, iu rikthye kërcënimeve që shqetësuan aleatët se nëse rizgjidhet në krye të administratës amerikane, do ta ketë sërish në fokus çështjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Në një tubim me simpatizantët e tij në Karolinën e Jugut, Trump kërcënoi, se vendeve anëtare të NATO-s që nuk paguajnë, nuk do t`i ofrojë mbrojtje në rast se sulmohen nga Rusia.
“Presidenti i një vendi të madh më pyeti një herë nëse SHBA do ta mbronte këtë vend nga Rusia, edhe kur nuk i paguan shpenzimet e mbrojtjes, dhe unë u përgjigja: Jo nuk do t’iu mbroja”- tha Trump.
Më shumë se kaq, u shpreh ai duke shtuar se do ta inkurajonte Rusinë të bënte, çfarë dreqin do që të bëjë. Shtëpia e Bardhë reagoi menjëherë dhe kujtoi përpjekjet e qeverisë amerikane për të forcuar aleancat e saj në botë.
“Inkurajimi për pushtim të aleatëve tanë më të ngushtë nga regjime vrastare është tronditës dhe i çmendur”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates.
Në vend që të thërrasë për luftëra, dhe të nxisë “kaosin nga problemet mendore”, presidenti amerikan, Joe Biden “do të forcojë edhe më tej rolin udhëheqës të SHBA”. Edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i kritikoi ashpër deklaratat e Trumpit, që në rast të rizgjedhjes së tij nuk do t’i mbrojë partnerët e aleancës që nuk kanë paguar.
“Çdo lloj aludimi, se nuk do të mbrohen aleatët, minon sigurinë tonë të përgjithshme, përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara”, theksoi Stoltenberg në Bruksel. Në fushatën që po zhvillon tani, Trump mbetet ende skeptik i organizatave sikurse NATO-ja, duke u ankuar shpesh për miliardat që ndan SHBA-ja për aleancën ushtarake, e cila ka ofruar ndihmë shumë të rëndësishme për Ukrainën, teksa përballet me pushtimin rus.
Top Channel