Ish-kryeministri Sali Berisha, duke komentuar mbledhjen e “Rithemelimit” në selinë e PD-së, ku sot iu bashkua edhe grupi i Gazment Bardhit, u shpreh se 43 deputetët “bënë realitet dëshirën e 700 mijë shqiptarëve”.
Gjatë tubimit që u mbajt poshtë apartamentit të tij, Berisha tha se PD-ja është parti e interesit kombëtar.
“Më 22 dhjetor të vitit 1990, ne deklaruam përpara shqiptarëve dhe botës se ylli ynë polar do të ishte interesi kombëtar. Koha i dha të drejtë PD”, tha ai.
Sipas Berishës, sot ka lot gëzimi në sytë e demokratëve, pasi opozita u bashkua.
Fjalimi i ish-kryeministrit Sali Berisha:
Në moshën time, në një moshë që unë mendoja se kisha parë gjithçka nga jeta, më dhatë shansin për të përjetuar emocionet më të fuqishme. Më frymëzuat, duke qëndruar përpara çdo sulmi që iu bë PD si viganë të vërtetë të interesit kombëtar. Nuk u shitët, nuk u intimiduar, nuk u trembët, nuk u mashtruat.
Më dhatë shpresë dhe sot më shumë se kurrë ju jeni heronjtë e mi, jeni heronjtë e shqiptarëve.
Po, ju jeni heronjtë e mi sepse kur Shqipëria ishte zhytur në apati nën moton ç’më duhet mua, kur regjimi mendoi se i dha opozitës goditje fatale, juve i provuat se fati i Shqipërisë është në duar të sigurta me këtë gjeneratë demokratësh për të cilët e para është Shqipëria.
Kemi 10 vite në opozitë, të dashur miq. Opozita është e vështirë, por është akoma më e vështirë kur zgjat 10 vite. Shumë dhimbje, padrejtësi, sakrifica keni kaluar ju. Opozita bëhet e padurueshme kur ato institucione që supozohen të jenë me ligjin, korruptohen dhe përdoren si pushkë kundër opozitës.
Përdoren si Dumani në krye të organizatës kriminale të Skapit të partisë për amnistimin e Edi Ramës dhe kriminelëve të tij elektoralë të dosjeve 339 dhe 184. Përdoren për amnistinë e Edi Ramën dhe Erion Veliajt për vjedhjen e shekullit, djegësat, sterilizimin, portin e Durrësit, Butrintin, aferat shumëmiliardëshe të Edi Ramës dhe klanit të tij. Përdoret për amnistimin e skandalit të shekullit Rama-McGonigal, për të cilin dita e gjykimit po afron.
Dita e gjykimit për Edi Ramën është e afërt dhe Edi Rama, me 20 shkurt, do të marrë atë që meriton!
Të dashur miq!
Ju jeni heronj të vërtetë, sepse opozita duket e pamundur kur trafikantë, vrasës, pengmarrës, përdhunues, me një fjalë Aleanca e Qelbësirave, e tmerruar nga toleranca zero e opozitës kundër krimit të organizuar, derdhi me dhjetëra e qindra milionë euro kundër saj.
Opozita duket e pamundur kur mediat më të mëdha, të rëna në grazhdin e qeverisë, organizatë e vërtetë kriminale nga mëngjesi deri në darkë, censurojnë, manipulojnë lajmet për opozitën, demonizojnë atë, vazhdojnë melodinë e vjetër të shpifur të Edi Ramës se fajin e ka Saliu dhe fajësojnë opozitën për krimet dhe mëkatet e qeverisë.
Të dashur miq!
Ju jeni heronj të vërtetë, sepse opozita duket e pamundur kur narkoqeveria për të vendosur kontrollin mbi ju, mori peng drejtues të saj, njerëz të cilëve ju i besuat për dhjetë vite me radhë.
Ju jeni heronj të vërtetë, sepse opozita bëhet pothuaj e pamundur kur narkoqeveria korrupton zyrtarët më të lartë të zbulimit, ambasadorë dhe diplomatë për goditur e shkatërruar opozitën e vendit dhe konsoliduar pushtetin e krimit të Edi Ramës.
Ju jeni heronjtë e opozitarizmit në Shqipëri, Europë dhe botë.
Si ju nuk ka sot askërkund!
Ju jeni heronjtë e vërtetë, sepse opozita bëhet pothuaj e pamundur kur drejtësia politike arreston liderin e opozitës, kur gjykatat e narkoshtetit vjedhin simbolet e partisë opozitare.
Ju jeni heronj të vërtetë, sepse opozita duket e pamundur kur parlamenti u mohon deputetëve çdo të drejtë të dhënë nga Kushtetuta dhe vullneti i sovranit.
Për të gjitha këto, shumë nga ju jeni përballur me presione të jashtëzakonshme. Me të drejtë, edhe mund të jeni përlotur. Të përlotur, jo vetëm për padrejtësitë ndaj jush dhe opozitës, por të përlotur për Shqipërinë tonë të dashur. Ka lot në sytë e demokratëve, por ato janë dhe do jenë lot gëzimi, sepse opozita është e bashkuar.
Të dashur miq!
Në historinë e PD, opozitës shqiptare, por edhe Shqipërisë dhe kombit, për aq sa PD, forca kryesore opozitare e vendit është sot shpresë e vetme e shqiptarëve, sot pas një beteje të përbashkët 1-vjeçare, por edhe pas përplasjeve dhe kundërshtive hera herë edhe të forta, 43 deputetë të PD, të koalicionit opozitar, u mblodhën së bashku në drejtimin e kryetarit të grupit parlamentar në selinë e partisë dhe bënë realitet dëshirën e rreth 700 mijë shqiptarëve që votuan më 25 prill për PD dhe koalicionin e saj.
Theksoj, se ky bashkim nuk ishte i thjeshtë pas përplasjeve të forta të vjehstës së 2021, por ky bashkim ishte njëkohësisht bashkimi më i natyrshëm i politikanëve të përgjegjshëm atdhetarë, demokratë të mandatuar nga elektorati i PD.
Ky bashkim ishte akti më i përgjegjshëm para zgjedhësve shqiptarë, dhe në veçanti para jush, demokrate dhe demokratë të këtij vendi. Ky bashkim është padyshim akti më i mirëpritur për çdo demokrate për çdo demokrat që pa përfaqësuesit e tij të bashkohen në mbrojtje të interesave të tij dhe që shohin te ky bashkim rrugën më të sigurtë drejt fitores.
Por duhet të jeni të sigurt se ky bashkim është pritur me tmerr nga kreu i organizatës kriminale, Edi Rama, i cili bëri gjithçka, përdori mjetet më anti-demokratike, mohimin e të drejtave kushtetuese themelore të deputetëve, arrestimin e liderit të PD, vetëm e vetëm që ky bashkim të mos ndodhte.
Edi Rama, sot i tronditur gjer në shpirt, përpiqet të kërcënojë me zgjedhje.
I them Edi Ramës se zgjedhjet do bëhen kur të dojë opozita dhe se ti ke fundin tënd.
20 shkurti është dita e triumfit të opozitës!
Së fundmi miqtë e mi, ky bashkim i politikanëve, deputetëve tuaj, në diversitet, në shumësi mendimesh, e bëjnë forcën tonë politike më demokratike, më të fortë se ndonjëherë.
Ky bashkim tregon se opozita është sot gati për fitore. Se opozita ka zgjuar luanin e fjetur të shqiptarëve dhe në 20 shkurt, nis betejën pa kthim në sheshet e Tiranës kundër diktaturës së Edi Ramës.
Më 20 shkurt, shqiptarët, demokratë, të paparti, socialistë të zhgënjyer, të gjithë në këmbë, të gjithë në Tiranë për të inauguruar pranverën e demokracisë.
Më 20 shkurt, beteja jonë fitimtare ta bëjmë Shqipërinë si Europa, Zoti ju bekoftë ju, shqiptarët, Shqipërinë, PD.
Top Channel