Nuk i kryen punimet e premtuara në automjet dhe e kërcënuan për ta shtypur me automjetin e tij, ndërhyrja në kohë e Policisë çon në pranga 2 vëllezër, pronar të një subjekti për lyerje automjetesh.
2 vëllezërit e përdornin automjetin e 46-vjeçarit, për të levizur vetë dhe në momentin që pronari i automjetit i ka konstatuar, kanë tentuar ta shtypin duke e marrë mbi kofanon e automjetit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, sapo janë njoftuar se 2 shtetas kishin tentuar të shtypnin me automjet, një shtetas, kishin përplasur automjetin me bordurën, dhe më pas ishin larguar duke braktisur automjetin, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre.
Falë reagimit në kohë dhe verifikimeve të shpejta në vendngjarje, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të 2 shtetasve, duke bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e tyre, konkretisht: D. C., 27 vjeç dhe E. C., 20 vjeç, vëllezër, të dy banues në fshatin Fermë Sukth.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi E. A. kishte çuar automjetin e tij, në subjektin e vëllezërve, për ta lyer. Vëllezërit nuk e kishin lyer automjetin, por leviznin me të, në qytet.
Në Shkozet, në rrugën që të çon te kualidimi, shtetasi E. A. ka konstatuar 2 vëllezërit që lëviznin me automjetin e tij. Ai i ka dalë para automjetit, që ta ndalonte, por vëllezërit kanë tentuar ta shtypin, duke e marrë në kofanon e automjetit, deri në afërsi të universitetit. Më pas ata kanë përplasur automjetin me trafikndarësen, e kanë braktisur atë dhe janë larguar.
Shtetasi E. A. nuk ka pësuar dëmtime fizike dhe ka njoftuar menjëherë Policinë, për ngjarjen e ndodhur. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të 2 vëllezërve dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tyre në flagrancë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel