Ish-presidenti amerikan, Donald Trump thotë se do të “inkurajojë” Rusinë që të sulmojë çdo anëtar të NATO-s që dështon të paguajë detyrimet e saj si pjesë e aleancës ushtarake perëndimore.
Në një tubim në Karolinën Jugore të shtunën, ai tha se i kishte thënë një herë një lideri se nuk do të mbronte asnjë komb që ishte mbrapa me afatet e pagesave dhe se do të “inkurajonte” agresorët të “bënin çfarëdo të donin”.
Neni i 5-të i aleancës ushtarake të NATO-s përcakton se nëse një shtet sulmohet, atëherë të gjithë anëtarët e tjerë zotohen të vijnë në mbrojtje.
Shtëpia e Bardhë i quajti komentet “të tmerrshme dhe të pakontrolluara”. Duke iu drejtuar turmave gjatë mitingut në Karolinën e Jugut, Trump rikujtoi takimin me një nga liderët e një “vendi të madh”. Sipas tij, ai kishte paraqitur një situatë hipotetike në të cilën ky vend nuk po përmbushte detyrimet financiare brenda NATO-s dhe ishte sulmuar nga Moska.
Trump tha se lideri e kishte pyetur nëse SHBA do t’i vinte në ndihmë vendit të tij në atë skenar, gjë që e shtyu atë të lëshonte një qortim.
“I thashë: “Nuk ke paguar? Je vonuar?”… “Jo nuk do të të mbroja, në fakt do t’i inkurajoja të bëjnë çfarë të duan. Duhet të paguash”– tha Trump.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se ish-presidenti po “inkurajonte pushtimet e aleatëve tanë më të afërt nga regjimet vrasëse” dhe i etiketoi komentet “të tmerrshme dhe të pamohueshme”.
Trump, favoriti për të kandiduar sërish si kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA, ka qenë prej kohësh kritik ndaj NATO-s dhe asaj që ai e sheh si një barrë të tepërt financiare për Shtetet e Bashkuara për të garantuar mbrojtjen e 30 vendeve të tjera.
Top Channel