Përkeqësimi i motit në vendin tonë gjatë fundjavës, pezullohet lundrimi për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit

08/02/2024 19:37
Foto ilustruese

Përkeqësim i situatës detare në fundjavë, pezullohet lundrimi për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit në të gjithë vijën bregdetare shqiptare.

Drejtoria e Përgjithshme Detare në Durrës ka njoftuar se në bazë të parashikimit  situata hidrometeorologjike do të përkeqësohet përgjatë bregdetit shqiptar nga ora 14:00 e ditës së premte, 9 shkurt, deri më 12 shkurt.

Era do të fryjë në drejtimin jug-juglindje dhe jug -jugperëndim me shpejtësi deri 35- 45m/s dhe deti do të ketë një forcë prej 8-10 ballë, duke shënuar dhe lartësi dallge nga 3.50 deri 4.50 metra.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, DPD ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port  dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

Autoriteti detar ka kërkuar nga Kapiteneritë të ndalohet dhënia e lejeve për nisjen e lundrimit gjatë datave 9, 10, 11 dhe 12 shkurt për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë përgjatë bregdetit shqiptar dhe të njoftohen për marrjen e masave për sigurimin e tyre.

Ndërkohë anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete momentalisht do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse dhe nëse do të ketë ndryshim oraresh apo ndërprerje të lundrimit do të njoftohet nga autoriteti detar në fundjavë.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit parashikohet të jetë pas orës 06:00 të datës 12 shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA