Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se rregullorja e BQK-së nuk ia ndalon Qeverisë serbe që të ofrojë mbështetje financiare për serbët në Kosovë.
“Çdo sugjerim tjetër, nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, rregullorja synon që të ofrojë transparencë dhe ligjshmëri sa i përket importit të parave në Kosovë, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe politikës monetare të Bashkimit Evropian.
Kurti, duke iu përgjigjur akuzave të Vuçiçit, tha se gjuha serbe është zyrtare kudo në Kosovë dhe buxheti për komunat ku jetojnë serbët është më i lartë krahasuar me komunat e tjera.
“Ideja që Kosova po kryen fushatë të spastrimit etnik apo përndjekje është gënjeshtër”, tha Kurti.
“Është e vështirë të dëgjosh të gjitha këto nga një udhëheqës i një vendi (Serbia) që ka kryer gjenocid në Bosnjë dhe Kosovë. Këshilli i Sigurimit ka krijuar Tribunalin e Hagës për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë e Bosnje. Ne kemi ndërtuar një shoqëri shumetnike dhe kemi ndërtuar një shtet demokratik. Ne jemi krenar për një republikë për të gjithë ku sundon e drejta. Ne bashkë me aleatët kemi ndërtuar shtet demokratik”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e nisi fjalën e tij para OKB-së duke i cilësuar si “të rreme” pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë.
Ai tha se këto akuza po bëhen nga një shtet, që sipas tij, ka qeverisje autoritare.
Top Channel