Një javë pas vendimit të diskutueshëm të BQK-së rindezi tensione diplomatike me Serbinë, Albin Kurti u përpoq të sqaronte në një intervistë për AFP-në se dinari serb nuk është ndaluar në Kosovë.

“Ne nuk po e ndalojmë dinarin”, shpjegoi ai. Njerëzit mund të kenë dinarë serb, por mënyra e vetme e pagesës do të jetë euro, shtoi më tej kryeministri i Kosovës që këmbënguli se serbët atje nuk do të ndëshkohen për mbajtjen e valutës në fjalë.

“Kështu që mësuesit serbë , mjekët apo infermierët do të mund t`i marrin në vijimësi të gjitha këto pagesa nga Serbia. Thjesht që ato do të jepen në dinarë dhe në xhepat e tyre, do të mbërrijnë si euro”, tha Kurti.

Kurti e theksoi edhe një herë vendosjen e një periudhë kalimtare njëmujore për të lehtësuar zbatimin e rregullores së re, e cila lejon komunikim të mëtejshëm dhe kohë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Nuk është qëllimi ynë as të ndëshkojmë dhe as të shqetësojmë qytetarët”, u shpreh ai.

“Ky nuk duhet parë si ndëshkim, por thjesht si formalizim i transaksioneve financiare”, tha Kurti.

Komentet e tij erdhën pasi Serbia e akuzoi qeverinë e Kosovës për bllokimin fizik të një dërgese dinarësh në kufi të mërkurën. “Banka Kombëtare e Serbisë e dënon me forcë incidentin dhe rithekson se është e nevojshme që të shfuqizohen menjëherë këto masa të ashpra, diskriminuese dhe të paligjshme”, thuhej në deklaratën e saj, ku nënvizohej se kjo dërgesë ishte caktuar për të paguar paga, pensione, përfitime sociale dhe pagesa të tjera për serbët në Kosovë.

Ndërkohë, autoritetet e Kosovës thanë se një automjet serb i ishte afruar kufirit për të pyetur për dërgimin e dinarëve dhe u informua se vetëm kompanitë e autorizuara mund të sillnin valutë në zonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA