Gjykata përsëriti kërkesën ndaj policisë për të njoftuar Mihal Deligjorgjin dhe Dritan Minxollin, të cilët kërkohen si dëshmitarë, por ende nuk janë gjetur adresat e tyre.
Po për herë të dytë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nën akuzë për shpërdorim detyre bëri apel që të mos heshtet dhe që dëshmitarët të vijnë në gjykatë të flasin.
Më një proces ku po ridëshmojnë të prekurit nga tragjedia e Gërdecit, të dënuar e të padënuar, SPAK kërkoi të pyesë ish0ministrin Mediu. Kjo kërkesë u vendos në agjendën e gjykatës për në datën 21 shkurt, atëherë kur do të mbahet seanca e radhës.
“Secili të vijë e të mbajë qëndrim mbi punën e ministrisë. Mos zgjedhin heshtjen sepse me dëshmitë duhet të hidhen dritë. Do konsultohem me avokatët, kam pritur mbi 16 vite që të pyetem nga prokuroria, por nuk ka denjuar të më pyesë mbi çështjen”, u shpreh ai.
Gjykata i kërkoi policisë të gjejë adresën për dëshmitaren tjetër Anjola Agolli, e cila duhet të rrëfehet në gjykatë si ish sekretare e ish ministrit të drejtësisë Aldo Bumçi. Dëshmia e Agollit duhet të hedhë dritë mbi një faksimilie të asaj kohe ku shkruhej “për Shkëlzenin’.
Ndërkohë gjatë seancës u bë e ditur se përmes letërporosive të përcjella janë kërkuar dëshmitë në SHBA të përfaqësuesve të kompanisë Sac.
Top Channel