Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç pretendon se është caktuar të mbahet mbrëmjen e sotme seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që Serbia kërkoi për Kosovën.
Beogradi i dorëzoi një ditë më parë misionit të Guajanës, kërkesën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme me pretendimin “se gjendja aktuale në territorin e Kosovës është në “kontrast të thellë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Kryediplomati serb njoftoi se Guajana, si kryesuese e radhës e Këshillit ka vendosur që seanca të jetë e hapur. Për televizionin serb, RTS, ai u shpreh se pas bisedës së zhvilluar me ministrin e jashtëm të këtij vendi, u vendos të caktohej një seancë pa votim.
“Ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht, por sipas informacioneve që kemi, Guajana ka vendosur që seanca të jetë e hapur. Kjo ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht në faqen e Këshillit të Sigurimit, por kemi marrë informacion nga ministri i jashtëm i Guajanës se anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë pranuar vendimin e saj për të caktuar një seancë të hapur”, tha Daçiç, i cili doli dhe me pretendimin se ka pasur presione brenda Këshillit që seanca të ishte e mbyllur për publikun, për arsye, që siç tha ai, “i dinë vetëm ata”.
Në kërkesën e dorëzuar, Serbia e përshkruan vendimin e Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa, si vendim të jashtëligjshëm, duke vlerësuar se ai është “vazhdimësi e masave të dhunës brutale fizike dhe institucionale ndaj serbëve”, dhe sipas Beogradit, qëllimi është “spastrimi etnik dhe zhdukja e popullatës serbe”.
Top Channel