“Flaka” bën lëmsh policinë shqiptare, trupa e aktorëve të Kosovës përfundon 10 orë në komisariat! Dramaturgu: Përjetuam terror, na fyen me gjuhë seksiste

07/02/2024 13:06

Ngatërresa që i ka bërë policia shqiptare emrit të një gruaje që po priste ta arrestonte, ka bërë që trupa e aktorëve të Kosovës të kalonte jo pak,, por 10 orë mes komisariateve të Kukësit dhe Tiranës.

Gjithçka ka ndodhur mesnatën e ftohtë të 4 shkurtit, kur trupa e Kosovës kishte lënë aeroportin e Rinasit, pasi ishte kthyer nga Firence dhe po udhëtonte drejt kufirit të Morinës për të shkuar në Prishtinë.

Në vendin ku paguhet tarifa 5 euro e përdorimit të rrugës Durrës-Kukës, ndodheshin disa patrulla policie që kishin informacion se aty do të kalonin një grup i trafikimit të armëve nga Kosova, ku mes tyre ishte edhe një grua me emrin Flaka.

“Kishin pas ndalë edhe një makinë tjetër. Edhe një tjetër. Të gjitha makinat po i filtrojnë. I dhamë dokumentet dhe na ndalën pak më gjatë”, tregoi Jeton Neziraj, që i shkruajti përjetimet në një status në rrjetet sociale dhe më pas i ka shprehur në një intervistë për Nacionale.

Fati i keq i trupës kosovare ishte fakti që mes tyre ndodhej gjithashtu një vajzë me emrin Flaka, por pa asnjë të përbashkët me Flakën që po kërkonte policia shqiptare. Megjithëse artistët u përpoqën të sqaronin policinë se nuk ishin ata objektivi që efektivët kërkonin, kjo ishte e kotë.

Fillimisht u dërguan në komisariatin e Kukësit, e aty me sirena policie dhe forca speciale u dërguan në Tiranë.

“Ishim praktikisht të kidnapum (të marrë peng). Kur mbërritëm në oborrin e stacionit policor. Makina e policisë e bllokoi hyrjen. Ishim brenda oborrit pa informata. Na konsideronin se ata e kanë zënë grupin. Bënim përpjekje të komunikonim me ta. ‘Jemi artista, shfaqja, Italia’. S’merrej kush me kto argumenta. Për ta ishte ‘E kapëm grupin e 5 kontrabanduesve të armëve’. Edhe s’kish më dialog. Me sa e kuptova, ata synimin e kishin me dalë në një konferencë të nesërmen në orën 10 me thënë ‘Grupi prej 5 kosovarëve, grupi kriminal u shthur, u zu, ja suksesi”, tregoi dramaturgu Jeton Neziraj për Nacionale.

Lidhur me këtë ngatërresë ka folur edhe drejtori i Policisë Tonin Vocaj i cili tha se ngatërresa ka qenë një koiçidencë e çuditshme dhe trupës së artistëve iu kërkua falje.

“Kur është ndalu makina që ka qenë ky Luan Pira, ngjitur me makinën e tyre ka qenë kjo Flaka aktorja. Kjo ka qenë e gjithë ngatërresa. Është marrë nga Kukësi ka ardh në Tiranë. është verifiku brenda një kohe shumë të shpejtë që nuk është ajo Flakë. I kemi kërku falje për këtë por kanë qenë disa koinçidenca shumë të çuditshme”, shprehet Vocaj për mediat e Kosovës.

Statusi i dramaturgut Jeton Neziraj

Mbrëmë vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë “The Handke Project”. Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, një pjesë e ekipit të shfaqjes jemi ndaluar në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.
U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, u lamë të lirë mëngjesin e sotshëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.

Megjithatë e ndiejmë të nevojshme t’ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar.

U themi faleminderit edhe miqëve, kolegëve, përfaqësuesve të institucionev në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata per të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firence e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA