Armëpushimi në Gaza/ Detaje nga plani me tri faza i Hamasit, pengjet izraelite do të shkëmbehen me ato palestineze, rindërtim të spitaleve dhe kampeve

07/02/2024 17:46

Hamasi ka paraqitur një sërë kërkesash, duke përfshirë shkëmbimin e pengjeve për të burgosurit palestinezë dhe rindërtimin e Gazës, në përgjigje të një propozimi për armëpushim të mbështetur nga Izraeli.

Grupi i armatosur kërkon një tërheqje të plotë të forcave izraelite dhe përfundimin e luftës pas tre periudhave 45-ditore të armëpushimit.

Oferta mund të jetë e papranueshme për kryeministrin izraelit, i cili ka bërë thirrje për “fitore totale” në Gaza, sipas BBC.

Pyetja është nëse mund të arrihet një rrugë e mesme për të çuar përpara procesin.

Përgjigja e Hamasit është një kundërofertë ndaj një propozimi për armëpushim të mbështetur nga Izraeli dhe SHBA dhe i ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti – detajet e të cilit nuk janë bërë publike.

Një draft i dokumentit të Hamasit i parë nga agjencia e lajmeve Reuters sugjeron:

Faza e parë: Një pauzë 45-ditore në luftime gjatë së cilës të gjitha gratë izraelite pengje, meshkujt nën 19 vjeç, të moshuarit dhe të sëmurët do të shkëmbeheshin me gra dhe fëmijë palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite. Forcat izraelite do të tërhiqen nga zonat e banuara të Gazës dhe do të fillonte rindërtimi i spitaleve dhe kampeve të refugjatëve

Faza e dytë: Pengjet e mbetur meshkuj izraelitë do të shkëmbeheshin me të burgosur palestinezë dhe forcat izraelite do të largoheshin plotësisht nga Gaza

Faza e tretë: Të dyja palët do të shkëmbenin eshtrat dhe trupat

Marrëveshja do të shihte gjithashtu rritjen e dërgesave të ushqimit dhe ndihmave të tjera në Gaza. Deri në fund të pauzës 135-ditore të luftimeve, Hamasi thotë se negociatat për t’i dhënë fund luftës do të kishin përfunduar.

Propozimi mori një përgjigje të vakët nga presidenti amerikan Joe Biden. Sekretari i Shtetit Anthony Blinken tha se kishte ende “shumë punë për të bërë” për të arritur një armëpushim të përhershëm, por theksoi rëndësinë e arritjes së një paqeje të qëndrueshme.

Një armëpushim i mëparshëm njëjavor në nëntor bëri që rreth 100 pengje u liruan në një shkëmbim me 240 të burgosur palestinezë.

Rreth 1,300 njerëz u vranë gjatë sulmeve të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor të vitit të kaluar.

Më shumë se 27,700 palestinezë janë vrarë dhe të paktën 65,000 janë plagosur nga lufta e nisur nga Izraeli si përgjigje, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA