Mazhoranca njofton se mbledhja e radhës e Komisionit të Reformës Zgjedhore do të jetë të premten dhe do të zhvillohet online.
“Të nderuar anëtarë të Komisionit, më lejoni t’ju njoftoj se në pamundësi të zhvillimit të mbledhjes fizike, me dakordësi të dy bashkëkryetarëve të Komisionit, mbledhja do të zhvillohet online, me anë mjeteve të komunikimit elektronik në platformën Zoom, ditën e premte, datë 09.02.2024, në orën 10.00”, njofton sekretariati.
Por, menjëherë ka kundërshtuar bashkëkryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj, që kërkon që mbledhja të bëhet online brenda ditës së sotme.
“Përshëndetje Vijola. Këtë njoftim e ke të pasaktë! Nuk kam dhënë pëlqimin për mbledhje online ditën e premte. Kërkesa ime është për mbledhje të komisionit, edhe online, ditën e sotme. Ndaj përcillja bashkëkryetarit si kërkesë, për të ribërë njoftimin për mbledhje ditën e sotme. Jam në pritje”, shkruan ai në grupin e “WhatsApp”.
Mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore nuk nisi as këtë të martë, pasi deputetët e opozitës bllokuan sallën dhe nuk lejuan kolegët e mazhorancës të hyjnë brenda.
Ata arritën të “çajnë” bllokadën e Gardës, duke zënë karriget në sallë. Pas gati 1 ore, mbledhje u anulua dhe mazhoranca u largua.
Top Channel