Ministria e Ekonomisë ka lansuar thirrjen publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për investimin në sisteme të energjisë së ripërtëritshme: Sistemi fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum dhe të sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar të financuara nga BE.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se qëllimi i kësaj nisme është të fuqizohen familjarët e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme dhe të përballueshme.
Kurti shtoi se për këto dy masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë. Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se janë duke punuar vazhdimisht për t’i dalë në ndihmë qytetarëve sa i përket energjisë elektrike.
Rizvanolli tha se kjo masë do të ndikojë edhe në ruajtjen e ambientit dhe uljen e faturave të energjisë elektrike. Sipas saj, janë 17 kompani vendore që ofrojnë shërbime që janë promovuar gjatë ditës së sotme.
Në anën tjetër, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari i ka bërë thirrje bizneseve ta shfrytëzojnë këtë mundësi që kontribuon në uljen e kostos për energji. Rizvanolli po ashtu tha se këto masa kanë për qëllim zbutjen e krizës energjetike në vend.
Top Channel