Xhelozia e sëmurë e një burri çoi në burgosjen brenda shtëpisë së saj dhe monitorimin me kamera 24 orë një tjetër grua këtu në Kodër Kamëz.
Në banesë, Asqeri Mandri mbante të izoluar bashkëshorten e tij nënën e 4 fëmijëve.
Xhelozia e Asqeri Mandrit shkonte përtej kamerave dhe kyçjes në banesë, ai edhe e dhunonte bashkëshorten e tij. Kamerat e sigurisë që ai vetë i kishte montuar brenda dhe jashtë shtëpisë, janë një provë e fortë kundër tij pasi kanë filmuar momentet kur 34-vjeçari lë lojën me 4 vajzat e mitura dhe dhunon bashkëshorten në sy të tyre.
Në dëshminë që e reja ka dhënë para uniformave blu tregon se i shoqi ka qenë gjithmonë xheloz, por largimi si emigrant e ka bërë edhe më agresiv. Ajo tregon se i shoqi është i varur nga bixhozi dhe herë e ndalonte të dilte në punë e herë të tjera i kërkonte pse nuk sillte më shumë para në shtëpi. Episodet e dhunës u bënë të shpeshta ç’ka e detyruan të denoncojë në polici.
Kjo dhunë ushtrohej në sy të kunatit dhe vjehrrës por ata nuk folën. Ata jo vetëm mohojnë dhunën por ngarkojnë me faj nusen e shtëpisë duke e akuzuar se i ka ngritur kurth bashkëshortit duke e kthyer nga emigrimi për ta futur në burg.
“Nusja doli nga rruga e mirë. Shkonte në punë dhe rrogën nuk na e dorëzonte. Djalin nuk e pyeste fare, rrinte në telefon në vesh dashnor pas dashnori. Madje edhe e kam parë duke bërë video në dhomën e gjumit”, shprehet nëna e 34-vjeçarit.
Qëndrim mohues mbajti dhe 34-vjeçari para uniformave blu. Sipas tij zënkat me bashkëshorten janë si në çdo çift dhe nuk ka ushtruar dhunë, ndërsa përsa i përket kamerave ai ka thënë se i ka vendosur për të qenë më pranë familjes dhe fëmijëve të tij gjatë kohës që nuk ndodhej në Shqipëri.
Pas arrestimit, familjarët e Asqeri Mandrit pretendojnë se ai ka shfaqur probleme të shëndetit mendor të cilat do të vlerësohen nga një ekspert mjekoligjor.
Top Channel