Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy serbëve Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, për huliganizëm si pjesëmarrës në protestën e dhunshme të 29 majit, të vitit të kaluar, në komunën e Zveçanit, ku u sulmuan ushtarët e KFOR-it.
Sipas Prokurorisë ata dyshohet se në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit.
Petroviq dhe Obranoviq akuzohen për veprën penale ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, në protestat e dhunshme në ditën kur kryetarët shqiptarë hynë në objektet komunale për të ushtruar detyrën e marrë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit 2023.
Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq u arrestuan më 29 maj 2023 në të njëjtën ditë kur ndodhi përplasja me ushtarët e KFOR-it, nga ku mbetën rreth 90 të lënduar.
Top Channel