Në redaksinë e Fiks Fare u ankua nëna e një djali 5 vjeçar, e cila u ankua se në kopshtin privat “Borëbardha 3” edukatoret i kanë mbuluar kokën me çarçaf dhe batanije djalit të saj dhe asnjë institucion, megjithëse ka bërë kallëzim penal, nuk e ka verifikuar.
Ndërkohë, denoncuesja thotë se kopshti “Borëbardha 3” merr qumësht të pa sterilizuar për fëmijët. Kamera e Fiks Fare filmon një person me bidonë plastikë nga 5 e 10 litra që çon qumësht fshati në atë kopsht.
Në redaksinë e emisionit investigtiv u ankua një zonjë, nënë e një fëmijë, e cila denoncoi veprimet e drejtuesve dhe edukatoreve në kopshtin privat “Borëbardha 3” për keqtrajtimin e djalit të saj 5 vjeçar. Ajo thotë se kopshti ka si pronare znj. Ermira Balla. “Më shumë se një vit më parë në atë kopsht kam pasur djalin. Në një moment djali mu ankua se s’do të shkojë në atë kopsht, madje ishte tepër agresiv. Më kafshonte dhe mbulonte kokën. E kam pyetur djalin dhe më ka thënë se atje e mbulojnë me batanije dhe e mbyllin në banjë” thotë denoncuesja.
Më tej shton se pasi i ka thënë djali këtë ndodhi, ka shkuar në atë kopsht dhe ka biseduar me Ermirën, e cila ia ka pranuar ngjarjen. Madje, pronarja i ka treguar edhe kamerat e sigurisë, ku dukej që djalit të denoncueses i është mbuluar koka. Më vonë pronarja i ka shkruar se këtë ngjarje e ka bërë një edukatore me emrin Gisi, të cilën nga fëmijët e kopshtit e ka çuar në çerdhe. “E kam çuar te fëmijët që s’flasin” i shkruan pronarja denoncueses. Pra, te këta fëmijë të vegjël që nuk ankohen, duke pranuar edhe ndodhinë. Denoncuesja thotë se pas kësaj ngjarje djali ka pësuar trauma të mëdha dhe e ka ndjekur me psikologë. U mbyll në vetvete.
Denoncuesja i serviri Fiksit edhe një video, ku ajo bisedon me të miturin. Ajo e pyet se çfarë ka ndodhur, ndërsa djali i përgjigjet se s’do të shkojë te kopshti “Borëbardha 3” dhe ul kokën. “Këtë ngjarje dua ta denoncoj tani, pasi sa herë që shkëmbehem me atë pronaren ajo më flet me ironi. Madje e kam denoncuar edhe në polici, por deri më sot s’kanë marrë asnjë masë” thotë denoncuesja.
Pas ankesës, denoncuesja shkon të takojë pronaren e kopshtit Ermira Balla. Pronarja e pranon se edukatorja e saj i ka mbuluar kokën, duke i thënë se “ndodhi vetëm 1 herë”. Më pas i shpjegon se edukatoren e ka larguar nga ai grup, duke e çuar te fëmijë të tjerë. Por, pronarja i thotë se denoncuesja i ka bërë shumë dëm pasi ka folur në lagje se çfarë ka ndodhur. Në ballafaqim, nëna e 5 vjeçarit i thotë se ka bërë edhe kallëzim penal në polici, madje edhe në institucione të tjera. Pronarja i thotë se “e di, pasi më kanë sjellë ankesën dhe numrin tënd të telefonit”. Ajo pranon se institucionet e kanë lajmëruar.
Ndërkohë, denoncuesja thotë për Fiks Fare se kopshti në fjalë tashmë i ka shkuar në katin e parë të pallatit ku ajo jeton. “Dua të denoncoj edhe një fakt tjetër, pasi një person sjell qumësht të pa sterilizuar për fëmijët e vegjël, duke i rrezikuar nga viruse dhe sëmundje. Dy a tri herë në javë, një person vjen me bidonë plastikë nga 5 e 10 litra me qumësht. Qumështi është nga ai që shitet në rrugë. I pa sterilizuar dhe nga ai që mblidhet nga periferia e Tiranës. Nuk është i sterilizuar ashtu siç duhet të jetë në një kopsht të tillë” thotë denoncuesja.
Denoncuesja ka filmuar edhe shitësin ambulant që çon qumësht me bidonë plastikë në atë kopsht. Ajo e pyet se ku e dërgon atë qumësht, ndërsa ai i përgjigjet se “te kopshti i Ermira Ballës”.
Më pas, gazetarët e Fiks Fare shkojnë në ambientet e kopshtit dhe bisedojnë me drejtoreshën dhe pronaren Ermira Balla. “Ne qumështin e kemi shumë të mirë, që e pimë bashkë me çajin në mëngjes. Edhe e kemi shumë qumësht. Ne më shumë përdorim qumësht fshati. Ne na vijnë 2 bidonë 10 litërsh, 7 litërsh apo 5 litërsh. Na i sjell i zoti këtu. Unë jam kundra ligjit se s’duhet ta përdor. Unë e përdor sepse është vërtetë shumë i mirë. Në përdorime të tjera e bëjmë për pastiço” pranon znj. Balla. Madje e di se është edhe kundra ligjit!
Gazetarët e Fiksit filmojnë edhe personin që dërgon qumështin në atë kopsht. Ai thotë se është nga zona e Baldushkut në Tiranë dhe vjen një ditë po e një ditë jo në këtë kopsht.
***
Bisedë mes denoncueses dhe drejtoreshës së kopshtit privat “Borëbardha 3”, Ermira Balla
Drejtoresha – Tani më thuaj çfarë kishe ti?
Denoncuesja – Nejse, unë doja të flisja njëherë se më ha nga brenda ai meraku i nënës për fëmijën.
Drejtoresha – Po.
Denoncuesja – Se pasi i ndodhi … që iu mbulua koka ti e pe te kamerat. Sa herë i është mbuluar … koka? Ti e di që unë i jam futur një rruge tani të gjatë dhe të vështirë që kam bërë denoncimin për …
Drejtoresha – Pse je futur, sepse në atë moment që je futur për të bërë denoncimin, e para duhet ta kishe bërë më përpara.
Denoncuesja – Dëgjo …
Drejtoresha – E di sepse po të takoj tani ta dish, sepse …
Denoncuesja – A mund ti përgjigjesh ti pyetjes sime sa herë i është mbuluar koka?
Drejtoresha – Nuk e kam parë sa herë i është mbuluar koka. Kur e pamë, e zbuluam. Nuk i është mbuluar më. Unë s’e kam parë herë tjetër.
Denoncuesja – S’e ke parë herë tjetër? Sepse unë të besova ty, s’erdha që të shikoja ditët e tjera. … e di që ka pasur trauma o Mira!
Drejtoresha – Nuk ndodhi më pas asaj dite! Ajo që ndodhi …
Denoncuesja – Ti e pe shumë mirë që Gisi (edukatorja) e mbuloi.
Drejtoresha – Ai reagoi menjëherë. A të reagoj, erdhe e pe dhe kaq!
Denoncuesja – Gisi e mbuloi, si e mbuloi për herë të dytë prapë? Ça shpirti ka?
Drejtoresha – Unë s’pashë për herë të dytë.
Denoncuesja – Dy herë e mbuloi! Dy herë e mbuloi, po të kesh kamerat ti. Hoqi djali …
Drejtoresha – S’të janë fshehur asnjëherë. Nuk të lejohet askënd ta prekësh me dorë.
Denoncuesja – Po juve ju lejohet që t’i mbuloni kokën fëmijës?
Drejtoresha – S’na lejohet t’i mbulojmë kokën.
Denoncuesja – Pse e bëre?
Drejtoresha – E denoncoje. A të thashë unë mos e denonco.
Denoncuesja – E denoncova, e kam denoncuar.
Drejtoresha – Mirë vazhdo e zgjidhe. Vazhdo dhe zgjidhe! Arsyeja që erdhe t’më takosh mua cila është?
Denoncuesja – Që ta di që … sa herë i është bërë kjo gjë, se nuk e pyet fëmijën si është fëmija pasi ka ndodhur kjo gjë. Vetëm me kë bërë presion.
Drejtoresha – Mua më erdhi 20 herë Bashkëqeverisja dhe doli denoncimi nga numri jot dhe i Letës (e afërmja e denoncueses) që po përdoret oborri i pallatit, kur oborri ishte me certifikatë.
Denoncuesja – Çfarë po përdoret?
Drejtoresha – Po përdorej oborri i pallatit.
Denoncuesja – Ty të kanë lajmëruar …
Drejtoresha – Po me emrin tënd, me të gjitha, me numrin e telefonit tënd me çdo gjë. Mua s’më prish punë, e di çfarë më intereson mua…
Denoncuesja – Cili oborr?
Drejtoresha – Te Kopshti lart, po përdoret oborri i pallatit.
Denoncuesja – E si të vijnë ty?
Drejtoresha – Nga numri i telefonit tënd. Ata që më erdhën në kontroll …
Denoncuesja – E si ti tregojnë ty ata?
Drejtoresha – Më kanë ardhur 10 herë dhe për Zotin emrin tënd. Dmth numrin e telefonit tënd. Pak rëndësi ka …
Denoncuesja – Po si ti tregojnë ty këto gjëra.
Drejtoresha – Ja që mi treguan!
Denoncuesja – Më fal, nëse ty do të ndodhte. Fëmijës tënd do ti mbulonin kokën, si do të veproje?
Drejtoresha – Nuk e di, nuk do e toleroja. Kur dikush s’ka qenë i saktë me punën e kam hequr nga puna. Në rregull?
Denoncuesja – Ti e çove të çerdhja (edukatoren)!
Drejtoresha – Po çfarë ndodh me gjithë punëtorët që kam pasur unë në punë. Kam një kontratë, secili mban përgjegjësinë e vetë, unë mbaj përgjegjësinë time.
Denoncuesja – Po ti që e çove Gisin të grupi i fëmijëve te çerdhja, pse e çove te çerdhja?
Drejtoresha – Çfarë kam bërë unë për veprimtarinë time … është punë për mua.
***
Bisedë mes gazetarëve të Fiks Fare dhe drejtoreshës Ermira Balla
Drejtoresha – Si kopsht fillon në orën 07:00 deri në orën 5 mbasdite, mund ta lësh edhe deri në drekë. Të jap edhe një menu, se çfarë hanë. Hanë mëngjesin, drekën dhe pasditen.
Fiksi – Paga më tha edukatorja ishte 250 euro më të treja vaktet.
Drejtoresha – Edhe 150 euro deri në drekë.
I tregon ambientet e kopshtit …
Fiksi – Nuk e di për qumështin çfarë përdorni, sa herë e përdorni në javë apo jo?
Drejtoresha – Ne qumështin e kemi shumë, që e pimë bashkë me çajin në mëngjes. Edhe e kemi shumë qumështin. Ne më shumë përdorim qumësht fshati.
Fiksi – Merrni qumështin e fshatit?
Drejtoresha – Ne na vijnë 2 bidonë 10 litërsh, 7 litërsh apo 5 litërsh. Na i sjell i zoti këtu. Unë jam kundra ligjit se s’duhet ta përdor. Unë e përdor sepse është vërtetë shumë i mirë. Në përdorime të tjera e bëjmë për pastiçe …
Fiksi – Qumësht lope?
Drejtoresha – Qumësht këtë përdor, ne marrim edhe kështu … që është i blerë, por e përdorim për 3 fëmijë që nuk e duan. Edhe normalisht e përdorim një herë në tre ditë!
***
Kamera e Fiks Fare filmon momentin që shitësi ambulant dërgon qumësht në kopshtin privat “Borëbardha 3”
Fiksi – Si je? Ky është qumështi që e sillni këtu (te kopshti)?
Shitësi ambulant – Po te Mira.
Fiksi – Të Mira ëë. Ça qumështi është?
Shitësi ambulant – Qumësht lope.
Fiksi – Lope?
Shitësi ambulant – Po.
Fiksi – E sillni përditë?
Shitësi ambulant – Jo një ditë po, një ditë jo.
Fiksi – Se më tha Mira që marrim qumësht fshati.
Shitësi ambulant – Po fiks qumësht fshati.
Fiksi – Vetëm qumështin më duket se merr ëë?
Shitësi ambulant – Vetëm qumështin, vetëm qumështin. Po këtë kam, qumësht. Ti do qumësht për vete?
Fiksi – Jo, jo do sillja gocën këtu po ngaqë është problemi me qumështin prandaj po pyesja.
Shitësi ambulant – Në rregull pa merak.
Fiksi – Ku i ke lopët?
Shitësi ambulant – Rri në Baldushk.
Fiksi – Edhe i sjell nga Baldushku?
Shitësi ambulant – Po.
Fiksi – Mirë faleminderit.
Shitësi ambulant – (Futet brenda në kopshtin privat “Borëbardha 3” me dy bidonë qumësht).
Top Channel