Autoshkollat në të gjithë Shqipërinë i kanë bërë bojkot ditës së provës dhe dhënies së shërbimit këtë të hënë.
Drejtuesit e shoqatës dhe anëtarë nga të gjitha rrethet janë mbledhur në Drejtorinë e Patentave në Kashar për të bërë të qarta kërkesat e tyre. Ata dënojnë mungesën e transparencës nga Drejtoria e Transportit Rrugor për rritjen e çmimit të patentave, ndërsa kërkojnë formalizimin e sektorit.
Sipas tyre, duhet të miratohet çmimi fiskal për autoshkollat. Përmes një letre, ata shprehen se janë injoruar si grup interesi mbi ndryshimin e tarifave të shërbimit nga DPSHTRR-ja. Drejtuesit e shoqatës listojnë problemet dhe kërkojnë zgjidhje nga institucionet përgjegjëse:
- Mënjanimi dhe mos informimi në kohën e duhur si grup interesi mbi ndryshimin e tarifave të shërbimit nga DPSHTRR-ja, veprime të cilat në mënyre indirekte ndikojnë në punën tonë të autoshkollave dhe të kandidatëve për drejtues mjeti.
- Zvarritjet nga ana e administratës shtetërore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për nxjerrjen e udhëzimit, ku trajtimi për dhënien e ndihmës së shpejtë mjekësore në rast aksidenti t’i rikthehet autoshkollave sipas përcaktimit të Kodit Rrugor të miratuar nga parlamenti shqiptar‚ i cili ka hyrë në fuqi prej datës 22.04.2023 (edhe pse është miratuar prej 9 muajsh, ende nuk gjen zbatim). Ky program i ndihmës së shpejtë i kryer në një institucion tjetër, u merr shumë kohë qytetarëve dhe me një pagese ekstra më shumë se niveli i përcaktuar ne udhëzimet e mëparshme.
- Formalizimi i aktivitetit të autoshkollave në bashkëpunim me të gjithë institucionet përkatëse, për përcaktimin e një kostoje minimale teknike për çdo kategori të lejeve të drejtimit, ku miratimi i tyre referuar programit mësimor dhe udhëzimet mbi to, do ta vendoste këtë aktivitet në kushte të barabarta të një konkurrence të ndershme dhe ligjore, duke larguar fiktivitetin dhe evazionin fiskal në këtë sektor.
- Me gjithë kërkesat e herëpashershme nga ana jonë si grup interesi për zbatimin e VKM Nr.153 dhe Udhëzimit Nr .9 datë 14.04.2022 të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku në nenin 11 përcaktohet që kandidatët për leje drejtimi të kryejnë pagesat për shërbimin e marrë nga autoshkollat në një bankë të nivelit të dytë, gjë e cila sipas këtij udhëzimi, po dhe nga grupi i interesit, do të largonte abuzimet e autoshkollave jo serioze që kryejnë këtë aktivitet.
Top Channel