Rreth 100 blegtorë nga rrethet e Jugut u mblodhën për të protestuar sërish në urën Kardhiqit në hyrje të aksit Kardhiq-Delvinë.
Ata janë takuar me ministren e Bujqësisë Anila Denaj për t’i prezantuar katër pikat kryesore të protestës: rritjen e çmimit të shitjes së qumështit, dyfishimin e subvencioneve, sistemimin e lerave malore dhe mundësimin e kontratave 15 vjeçare për kullotat.
Blegtorët i kërkuan ministres ndërhyrje për heqjen e monopolit të fabrikave përpunuese, të cilat po diktojnë çmimin dhe kushtet e bashkëpunimit.
Denaj foli për një hetim që po kryhet për punishtet përpunuese ndërsa premtoi se kostot dhe format e subvencionimit për blegtorët po rishikohen.
Lëvizja u nxit prej uljes drastike të çmimit të qumështit të deles nga 160 lekë për litër në 120 lekë për litër aktualisht. Kjo ulje ka shkaktuar një dëm të lartë financiar për blegtorët që ka çuar sipas tyre në reduktimin e tufave dhe braktisjen e sektorit. Ata thanë gjatë takimit se janë duke u favorizuar produktet e importit të bulmetit dhe mishit duke konkurruar në çmim produktin vendas. Sipas tyre kjo situatë kërcënon mbijetesën e sektorit dhe të industrisë ushqimore vendase.
Top Channel