Ministria e Financave ka përgatitur një draft të ri për ligjin e lojërave të fatit, ku ka prezantuar disa ndryshime përpara Komisionit të Ekonomisë në kuvend.
Janë shtrënguar kriteret për kompanitë që do të përfitojnë licencë, si dhe është prezantuar një sistem pikëzimi për renditjen e kompanive garuese. Gjithashtu në komisionin e licencave do të shtohen anëtarët që vlerësojnë kërkesat nga subjektet
“Drafti ka pësuar ndryshime. Janë riparë kriteret për kompanitë që duhet të licencohen. Licencat fillojnë nga një nivel minimal dhe kush ofron me shumë do të ketë avantazh me shumë. Ulet fasha e atyre që luajnë për bingon televizive nga 21 ne 18 vjeç. Është draft shumë më i kompletuar, garanton ulje informaliteti, kritere me te forta licencimi dhe sistem transparent te pikëzimit dhe në përzgjedhjen e kompanive”- shprehet Vasilika Vjero, zv.ministre e financave.
Kryetari i Komisionit të ekonomisë propozoi edhe lejimin e kazinove online, gjë e cila nuk është marrë parasysh nga Ministria e financave. Gjithashtu poshtë është hedhur dhe kërkesa e deputetëve socialistë për taksimin e lojtarëve në lojërat e fatit
“Ne nuk do t’i taksojmë lojtarët, sepse në këtë mënyrë do t’i dekurajojmë ata që të luajnë në mënyrë formale dhe të rregullt. Me këtë argument ne e hedhim poshtë kërkesën sepse mund të nxisë informalitetin.”
Debate ka pasur edhe për normën e fitimit në bingon televizive kombëtare
“Ne do të lëmë një normë 80% të shumës së luajtur pasi ky është standarti evropian.”
Qeveria ka parashikuar të vjelë 2 miliardë lekë taksa nga lojërat e fatit gjatë këtij viti në Buxhet dhe në këtë mënyrë në seancën plenare të radhës synohet që ligji të kalojë në parlament dhe t’i hapet rruga rikthimit të këtij aktiviteti, por kësaj radhe vetëm online.
Top Channel