Naim Murseli, i dyshuar si porositësi për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, ka përfunduar dëshminë e tij para Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Sipas avokates së tij, Teuta Zhinipotoku, Murseli e ka mohuar versionin që e ka dhënë gjatë intervistimit në Polici. Sipas saj, Murseli ka mohuar edhe raportimet në media për raporte të tensionuara me bashkëshorten dhe aludimet për tradhti.

“Dëshmia e të pandehurit Naim Murseli ka mbaruar. Me sot është kry deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë , i cili në tërësi e ka mohuar versionin e dhënë gjatë intervistimit në Polici. Deklarata e tij ka qenë e dhënë ne detaje në shpjegimin e ngjarjes që ka mohuar implikimin e tij në këtë rast. Informatat te cilat janë publikuar lidhje me raportet e tendosura në mes të bashkëshortëve lidhur me besnikërinë e tyre i pandehuri në tërësi i ka mohuar. Prokuroria vazhdon me grumbullimin e provave të mëtutjeshme”, ka thënë Zhinipotoku për mediat kosovare.

Gjykata Themelore në Prishtinë po mban në paraburgim edhe Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, të cilët dyshohen për vrasjen e 30-vjeçares, ndërsa informacionet mbahen sekret. Sipas dosjeve të hetuesisë, dyshohet se vrasja ishte inskenuar.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA