Numri i madh i personave të përfshirë në pedofili në Angli, ka bërë që në çdo qytet të krijohen skuadrat e vigjilentëve kundër pedofilëve, në rrjetën e të cilëve ra edhe një emigrant shqiptar.
Ata shtiren si minorenë nëpër faqet online të përdorura nga pedofilët, duke mbyllur takime mes të “miturve” dhe anglezëve pedofilë.
Momentin final kur mbyllet takimi, ata konfrontojnë pedofilët e më pas njoftojnë policinë.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, duke iu referuar një postimi të gazetarit anglez David Atherton, raporton se të njëjtin fat pati edhe emigranti shqiptar Gazment Asllani, i cili banonte në Hemel Hempstead.
Ai mendonte se ishte duke folur me një 13-vjeçare, por në fakt personi pas kompjuterit, ishte një prej anëtarëve të skuadrës të vigjilentëve kundra pedofilëve. Momenti i konfrontimit teksa sa ai po priste të takohej me “13-vjeçaren” është regjistruar. Gazment Asllani dëgjohet të thotë me një anglishte të çalë “Unë jam këtu pasi kam paguar një shumë të madhe për të mbërritur në Angli”.
Asllani më pas është arrestuar nga policia, e cila po heton të gjitha materialet e mbledhura kundër tij, nga skuadra lokale e vigjilentëve kundër pedofilëve.
Top Channel