Agjencia e Inteligjencës Financiare/ Ngrihet për të zbuluar raste të pastrimit të parave

01/02/2024 12:10

Lufta kundër pastrimit të parave pritet të marrë një tjetër kthesë.

Teksa vendi ynë për një kohë të gjatë ka qenë në “listën gri” të Moneyval, Këshilli i Ministrave i hapi rrugë ngritjes së Agjencisë së Inteligjencës Financiare, institucion ky në varësi të Ministrisë së Financave dhe që zëvendëson drejtorinë e përgjithshme të parandalimit të pastrimit të parave.

Sipas ligjit, Agjencia nuk do të ketë vetëm detyrën e parandalimit por dhe të zbulojë raste të pastrimit të parave. Të gjitha këto raste do t’i referohen më pas SPAK-ut, SHISH apo dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese. Ndërsa do të shkëmbejë informacione dhe me partnerët ndërkombëtar në lidhje me transaksionet e dyshimta të pastrimit të parave por dhe financimit të terrorizmit. Agjencia për çdo rast do të nxjerrë një listë të të gjithë shteteve ku do të kontrollojë transaksionet me qëllim evidentimin e të gjitha rreziqeve të mundshme.

Po ashtu, në fokus do të jetë dhe gjurmimi i atyre transaksioneve që bëhen në kriptovaluta. Një formë e re kjo që po përdoret më së shumti gjatë kohëve të fundit për pastrimin e parave. Struktura e Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe organika e saj do të miratohen me urdhër të Kryeministrit. Ndërkohë, punonjësit nuk do të kenë statusin e Nëpunësit civil. Marrëdhëniet e tyre të punës do të rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA