Izraeli kërkon mbylljen e agjencisë së OKB-së në Gaza

31/01/2024 18:15

Izraeli bëri thirrje për mbylljen e agjencisë së OKB-së të ndihmave për palestinezët (UNRWA), pasi paraqiti prova se të paktën 12 punonjës të kësaj agjencie morën pjesë në masakrën e 7 tetorit.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, disa nga vendet që janë donatorët më të mëdhenj të kësaj agjencie kanë ndalur tashmë dhënien e fondeve. Palestinezët thonë se UNRWA luan një rol jetik në shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gazë.

Kongresi amerikan po mban seanca dëgjimore këtë javë për çështjen nëse Shtetet e Bashkuara duhet të heqin dorë nga financimi i UNRWA-së, agjencisë së OKB-së të cilës i është caktuar detyra të mbështesë 1.5 milionë palestinezët e klasifikuar si refugjatë në Gazë.

Disa nga vendet kryesore donatore, ndër to edhe Shtetet e Bashkuara, kanë pezulluar fondet për UNRWA-n pasi Izraeli zbuloi se punonjës të UNRWA-s morën pjesë aktive në masakrën e 7 tetorit në Izrael, ku u vranë rreth 1200 persona.

Izraeli ka paraqitur evidencë për veprimet e të paktën 12 punonjësve të UNRWA-s, përfshirë rrëmbimin e një gruaje izraelite dhe pjesëmarrjen në masakrat në një nga vendbanimet. Krahas kësaj, rreth 10% e punonjësve të UNRWA-s në Gazë kanë lidhje me grupe militante islamiste dhe 50% e tyre kanë të afërm në këto grupe, sipas të dhënave të organizatës mbikëqyrëse “UN Watch”, e cila ia ka paraqitur evidencën komisioneve të Kongresit amerikan.

“Publikuam një raport të ri të titulluar ‘Terrorgrama e UNRWA-s’, ku nxjerrim edhe komunikimet e një grupi prej 3 mijë mësuesish të UNRWA-s në Gazë. Grupi bashkëbisedues ishte krijuar për të shkëmbyer informacion mes mësuesve të UNRWA-s. Por mes gati 249 mijë mesazheve që i morëm përpara se t’i fshinin, ata vazhdimisht përshëndesin terrorizmin e 7 tetorit dhe ngjarjeve më pas”, thotë Hillel Neuer, drejtor ekzekutiv i organizatës “UN Watch”.

UNRWA ka një personel prej 13 mijë personash në Gazë, shumica mësues në shkollat e UNRWA-s. Në përgjigje të akuzave izraelite, agjencia tha se ka shkarkuar nëntë persona dhe se do të vazhdojë hetimet.

Por, disa analistë izraelitë thonë se problemi me UNRWA-n shtrihet përtej krizës së tanishme. Ata thonë se kjo agjenci ka zgjatur statusin e palestinezëve si refugjatë, për arsye politike, në vend që t’i rehabilitojë ata, siç është vepruar me refugjatët e konflikteve të tjera.

“UNRWA filloi si një agjenci e përkohshme me synime të mira, për të rehabilituar refugjatët arabë nga lufta në vitet ’47-’49. Dhjetëra miliona refugjatë u rehabilituan në atë kohë, nga luftërat e periudhës pas-perandorake. Asnjë prej tyre dhe as qindra miliona pasardhësit e tyre nuk quhen refugjatë sot. Ata vazhduan me krijimin e një jete të re. Me përjashtim të palestinezëve”, thotë Einat Wilf, ish-deputete në parlamentin izraelit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se evidenca izraelite ndaj UNRWA-s është “shumë bindëse”, por ai tha gjithashtu se UNRWA luan një rol kyç në shpërndarjen e ndihmave në Gazë. Zyrtarët palestinezë thonë se ndërprerja e fondeve për UNRWA-n do të ishte një ndëshkim kolektiv dhe do ta përkeqësonte më tej situatën e vështirë humanitare në Gazë.

“Ky hap i ndërmarrë gjatë luftës në Gazë dërgon një mesazh të gabuar. Po bëhet një luftë kundër popullit palestinez. Ky vendim është i gabuar dhe duhet të ndalet menjëherë. U bëjmë thirrje të gjitha vendeve të rikthejnë fondet për UNRWA-n, pasi është çështje humanitare”, tha Nabil Abu Rudeineh, zëdhënës i Autoritetit Palestinez.

Palestinezët thonë se nëse UNRWA nuk vazhdon të funksionojë në Gazë, mbi një milionë persona që strehohen në shkollat e UNRWA-s do të përjetojnë një krizë edhe më të madhe humanitare./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA