Ish-shefit të Operacionales iu sekuestrua pasuria 1 milionë euro, si po i heton SPAK të ardhurat e 6 shefave të policisë

31/01/2024 11:52

Vrasës, biznesmenë e përfaqësues të shtetit i bëri bashkë jo vetëm etja për hakmarrje e për të eliminuar kundërshtarët, por gjithashtu edhe tundimi për para.

Të veshur me uniformën e shefit, deri dje ata orientonin vartësit për të kryer arrestime. Megjithatë, me arrestimin nga SPAK, përpos sqarimit të pozicionit të tyre në ngjarje të caktuara kriminale, ata po hetohen edhe për pasuritë e tyre.

Ish-shefit të Operacionales Oltin Bistri, i arrestuar më 27 korrik të vitit të kaluar, në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’, për grup të strukturuar kriminale e një sërë veprash penale, i janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 1 milion euro.

Por ky nuk ishte një rast i paparalajmëruar. Në një kronikë të datës 28 nëntor 2023, gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raportoi nisjen e hetimit pasuror të 6 shefave, aktualisht nën masa sigurie, për zotërimin e aseteve të dyshimta patundshmërie në Shqipëri por edhe jashtë vendit.

“Hetimi pasuror deklarohet se ka nisur ndaj ish-shefit të komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj, shfaqur në kamera sigurie në zonën e Patokut, duke u frekuentuar me të kërkuarin Gëzim Çela, një ish-polic i kthyer në narkotrafikant.

Në kulmin e një hetimi që synoi të zbërthente formën se si shkëmbehej kokaina me pothuajse 1.5 tonë hashash, shefi i policisë doli që shoqërohej me narkotrafikantin Çela, për të cilin insiston se e njihte gjatë kohës së policimit dhe se nuk dispononte informacion që ishte në kërkim . ‘Kur mora emërimin pata shumë angazhime në detyrë si ajo e masave për zgjedhjet dhe pelegrinazhi disa javor në kishën e Laçit’, insiston ish-zyrtari duke argumentuar se për këtë arsye nuk e dinte që po shoqërohej me një të kërkuar”- raportonte gazetarja Hoxha.

Nën hetim pasuror u vendos edhe ish-drejtori i forcave operacionale Oltion Bistri shfaqur në komunikimet e SKY duke i deleguar informacion Pëllumb Gjokës, mbi aksionet që ndërmerreshin kundra lojrave të fatit, një fenomen, i cili luftohej në sipërfaqe. Por, sakaq edhe zyrtarë të tjerë dyshohen se u shërbyen personazheve të njohur sikundër edhe atyre të Call Center-ave.

Hetimi pasuror, tha SPAK, po kryhet edhe ndaj Erzen Breçanit, po ashtu i tradhtuar nga SKY, teksa flet me të birin, herë si at që i bënte thirrje birit trafikant të braktiste paligjshmërinë, por herë si shok i të kërkuarve që i udhëzonte se si duhet ti shpëtonin kontrolleve dhe përgjimeve.

Shefi i krimeve të Kombinatit Dedan Gjoni po hetohet edhe për pasuritë, konfirmon SPAK. Dhe veç tyre edhe Sokol Idrizaj, ish-shoferi i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili deri pak kohë më parë mbante detyrën e kreut të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA