Inside Story/ “Ishin fshehur skela dhe vinçi”, i mbijetuari zbulon si u tentua manipulimi i aksidentit në punë

31/01/2024 21:41

Sektori me numrin më të lartë të aksidenteve në punë është ai i ndërtimit, për shkak të specifikave dhe proceseve që kryhen.

Kryesisht ato shkaktohen si pasojë e rënies nga lartësitë. Me sy të lirë nëse lëviz në kryeqytet mund të vëresh se në kantieret e ndërtimit punonjësit punojnë pa elementet mbrojtëse individuale të sigurisë në punë. Duhet theksuar se shpesh herë, edhe vetë punonjësit tregohen të pakujdesshëm, por, edhe kjo nuk i heq përgjegjësitë ndaj kontrollorëve.

“Ne shikojmë se në shumë kantiere ndërtimi konstatojmë punëmarrës të cilët nuk kanë pajisjet personale të mbrojtjes në punë elementare si helmeta syzet dorashkat”, u shpreh Fadil Likaj, ekspert.

I tillë është rasti i saldatorit Alban Vila, i cili ra nga skela. Fatmirësisht ai mbijetoi, por pësoi dëmtime të rënda. Ai mbeti mes katër rrugëve, i paaftë për të punuar e për të mbajtur familjen. Albani endet sot dyerve të gjykatave duke kërkuar drejtësinë e mohuar pas tjetërsimit të vendit të ngjarjes ku ndodhi aksidenti, duke e konsideruar atë vetë fajtor.

Gjithçka ndodhi më datë 12 tetor 2022 në fshatin Prush gjatë ndërtimit të një magazine. Kompania “Rebeka Konstruksion”, po kryente përforcimin e konstruksionit metalik e kontraktuar nga pronari i ndërtesës. Alban Vila ka rënë nga lartësia 10 m pasi vinçi goditi skelën.

“Mbaj mend se kam rënë nga skela, e kam mësuar tre muaj më vonë. Duke ngritur materiale nga toka vinçi kap skelën dhe e rrëzon Unë ndodhesha në skelë në atë moment”, u shpreh Alban Vila, i aksidentuar në punë.

Pas aksidentit, u njoftua policia, por fillimisht, u morën masa që vendi i ngjarjes të prishej dhe provat që zbardhnin të vërtetën të zhdukeshin. Punëtorët larguan vinçin dhe skelën nga vendngjarja. Të aksidentuarit nuk iu dha ndihma e parë pasi fillimisht, të gjithë menduan se ndërroi jetë. Ai u dërgua në spital në gjendje kome, gjë e cila faktohet nga ky “raport shërbimi” i oficeres së policisë gjyqësore. Aty thuhet se me 13.10. 2022 u paraqit në spital për të marrë në pyetje Alban Vilën, por mjekët i thanë se pacienti nuk ishte në gjendje shëndetësore për të dhënë dëshmi.

Policia ka marrë në pyetje drejtuesin teknik dhe punëtorët që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes. Ilia Kërënxhi ka deklaruar se ka zbatuar të gjitha rregullat e sigurimit teknik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA