“Difekti më i madh në të gjitha kantierat në Shqipëri është se një supervizor merr përsipër t’i bëjë të gjitha vetë, sipas mënyrës së tij dhe jo sipas ligjit dhe i paraqet ato sipas ligjit”, u shpreh avokati, Bledar Meminaj.
Dëshmitarët dyshohet se u instruktuan për të deklaruar se plagosja në punë e Alban Vilës ishte nga pakujdesia e vetë punëtorit. Ata thanë se Albani u pengua në tokë dhe u rrëzua.
“Ishim duke punuar, Albani në një moment ka humbur ekuilibrin dhe u rrëzua me fytyrë tek hekuri dhe u dëmtua tek këmba sepse hekurin e kishte përpara”. Ai shprehet se ata kanë qenë të siguruar në punë dhe se ky ishte një incident pakujdesie.
Por, dëmtimet e rënda që kishte në trup, ishin të ngjashme me ato që shkaktohen nga rëniet në lartësi të madhe. Nëse i referohemi fashikullit të prokurorisë, konstatohen mospërputhje në deklarimet e dhëna që ngrenë dyshime. Në të njëjtën kohë, rezulton se është shmangur marrja në pyetje e dëshmitarit Dylber Lezaj. Ai ka dhënë më vonë një dëshmi para noterit ku konfirmon se ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes. Ai ka shpjeguar se Alban Vila u rrëzua nga lartesia. Sipas dëshmitarit, në vendin e ngjarjes ishte skela dhe vinçi, elementë që në fakt nuk janë gjetur në vendin e ngjarjes nga policia.
“Kam dëshminë e punëtorit dhe foto të ndryshme të bëra gjatë punës”, u shpreh i aksidentuari në punë, Alban Vila.
Gjatë punimit mbi një skelë, ndërkohë që vinçi ka qenë duke ngritur material lart, ka goditur skelën, ku Alban Vila po punonte dhe si pasojë ai është rrëzuar duke pësuar shumë dëmtime. Si pasojë ai ka krisur kafkën, ka pësuar tre krisje në gju dhe ka dëmtuar thembrat dhe shputat e këmbëve. Sa më sipër e deklaroj në pozicionin e dëshmitarit okular, pasi unë kam qenë duke punuar me të në momentin që ndodhi aksidenti.
Në asnjë akt të organit të akuzës apo në aktin teknik nuk përmendet prania e vinçit dhe ndikimi i tij i drejtpërdrejtë në lëvizjen e skelës që ka çuar më pas në dëmtimin e rëndë të shtetasit Alban Vila në kokë dhe gjymtyrët e poshtme.
Prokuroria vendosi të pushojë çështjen, pasi analizoi vendin e ngjarjes dhe mori parasysh vetëm dy dëshmitarë të cilët pohuan versionin që Alban Vila u pengua dhe u rrëzua.
Top Channel